O’Brien pas takimit me Osmanin: Urgjent riangazhimi në dialog me Serbinë
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, tha se është e rëndësishme që ShBA-ja dhe Kosova të jenë në hap për avancimin e vizionit të përbashkët, pasi e mirëpriti në Uashington presidenten Vjosa Osmani.
O’Brien shkroi se me Osmanin diskutuan edhe për nevojën “urgjente” për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë.
“E mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Washington. Ne jemi krenarë që mbështesim shtetin sovran, multietnik dhe demokratik të Kosovës. Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë në hap për ta avancuar vizionin tonë të përbashkët. Gjithashtu u diskutua nevoja urgjente për t’u riangazhuar në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi O’Brien në “X”.
Osmani u takua me O’Brien me të mbërritur në Washington D.C., atje ku shkoi me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s.
Osmani tha se pati “diskutim pëmbajtësor” me O’Brien, me të cilin tha se folën për rëndësinë e bashkëpunimit.
“Takimet në Washington D.C. i filluam me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien. Diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, shkroi Osmani në Facebook.
Osmani tha se folën edhe për dialogun me Serbinë dhe rolin e ShBA-së në proces.
“Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi. “, shkroi ajo.