OBSH: Afrika po përballet plotësisht me valën e tretë të pandemisë
Afrika është duke u përballur plotësisht me valën e tretë të pandemisë dhe ka nevojë për më shumë vaksinime, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Numri total i të infektuarve ka kaluar pesë milionë dhe të paktën shtatë shtete afrikane tani nuk kanë vaksina.
Zyrtarë të OBSH-së kanë thënë se janë të shqetësuar për rajonin e Afrikës, ndonëse vetëm pesë për qind e infektimeve të reja dhe 2 për qind e vdekjeve regjistrohen nga atje në nivel global.
Numri i rasteve të reja në Namibi, Sierra Leone, Liberi dhe Ruandë, është dyfishuar në javën e kaluar, ka thënë udhëheqësi i programit për emergjenca në OBSH, Mike Ryan, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
“Është trajektore shumë, shumë shqetësuese”, u ka thënë ai gazetarëve nga Gjeneva.
“Realiteti brutal është se kjo zonë ka shumë variante, shkallë të lartë të përhapjes dhe kemi shumë persona në Afrikë që janë të pambrojtur në mungesë vaksinash”.
Afrika Jugore, Maroku, Tunizia, Etiopia dhe Egjipti, kanë regjistruar numrin më të madh të rasteve të infektimit në këtë kontinent.
Uganda dhe Namibia po përballen me valë vdekjeprurëse, pasi dhjetëra viktima regjistrohen brenda ditës.
Aktualisht variant Delta i koronavirusit është identifikuar në 14 shtete afrikane, ndërsa variant Beta, i identifikuar fillimisht në Afrikën Jugore, në 25 shtete.
OBSH-ja ka thënë se nuk ka afat kohor të saktë se kur do të jenë të qasshme më shumë vaksina, por ka nevojë urgjente për to./ REL