OBSh: Duhanpirësit janë më të rrezikuar nga Covid-19
Duhanpirësit janë më të rrezikuar nga koronavirusi i ri, ka bërë me dije Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
OBSh-ja ka treguar se përmbledhjet e studimeve nga ekspertët e shëndetit publik tregojnë se duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë të kontraktimit të sëmundjes fatale. “COVID-19 është një sëmundje infektive që sulmon kryesisht mushkëritë”, tha OBSH-ja në një deklaratë me shkrim.
“Pirja e duhanit dëmton funksionin e mushkërive duke e bërë më të vështirë për trupin të luftojë koronavirusin dhe sëmundjet tjera”, shtoi organizata.
OBSH-ja paralajmëroi studiuesit, shkencëtarët dhe mediet në lidhje me përforcimin e pretendimeve se duhani ose nikotina mund të zvogëlojnë rrezikun e COVID-19.
Deklarata e OBSh-së erdhi pas disa studimeve që tregojnë se numri i atyre që nuk e pinë duhanin ishte më i lartë në mesin e pacientëve me COVID-19 në krahasim me duhanpirësit.
Një studim i shkencëtarëve francezë në portalin shkencor “Qeios” në fund të prillit sugjeroi se pirja e duhanit mund të jetë një faktor mbrojtës kundër koronavirusit.
Studiuesit thanë se vetëm 5 për qind e 482 pacientëve me COVID-19 në spitalin Pitie-Salpetriere në Paris nga 28 shkurti deri më 9 prill ishin duhanpirës.
Një studim i hershëm i publikuar në fund të marsit në “New England Journal of Medicine” tregoi se vetëm 12.6 për qind e rreth 1.099 personave të infektuar me virus ishin duhanpirës, ndërsa shkalla e pirjes së duhanit në Kinë është rreth 28 për qind.