OBSH-ja del kundër vaksinës me dozë të tretë përforcuese

12 korrik 2021 | 23:20

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar kundër dozave të treta përforcuese për ata që tashmë janë vaksinuar, në një kohë kur vendet e varfra ende nuk kanë marrë vaksina.

Në deklaratën e sotme, shefi i OBSH-së ka thënë se disa punonjës shëndetësorë në vijën e parë të frontit, ende janë të pavaksinuar. Thirrja e tij vjen ndërkohë që shumë qeveri po përballen me hezitim për vaksinim dhe shqetësime për variante më të transmetueshme të koronavirusit si Delta dhe Lampda.

“Dallimi në furnizime me vaksina kundër COVID-19 në botë është shumë i madh dhe jo i barabartë. Disa shtete dhe rajone janë duke porositur miliona doza përforcuese, para se shtetet e tjera të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë dhe grupet më të rrezikuara”.

Ai ka përmendur prodhueset amerikane të vaksinave, kompanitë Pfizer dhe Moderna, që po planifikojnë të ofrojnë doza përforcuese për të siguruar imunitet afatgjatë.

Por ai ka sugjeruar që këto doza të dërgohen tek skema COVAX e OBSH-së, e cila synon të ndajë vaksina për vendet e varfra.

“Varianti Delta po përhapet në botë, duke nxitur shpërthime të reja, të infektuar dhe të vdekur”, ka thënë Tedros.

Sipas tij, për variantin Delta i identifikuar fillimisht në Indi tani është raportuar në 104 shtete.

Këtë javë, Anthony Fauci, ekspert për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se është shumë herët për të rekomanduar dozën përforcuese për ata që tashmë janë vaksinuar kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton ky virus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari, Milaim Zeka ka reaguar pas deklaratave të ish gjyqtarit…