OBSh-ja, e kujdesshme: S’është koha për t’i hequr masat kundër Covidit
Një valë e re infektimesh nga varianti Omicron i koronavirusit po lëviz drejt Europës Lindore, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila u kërkoi autoriteteve të rrisin përpjekjet për vaksinim.
Gjatë dy javëve të fundit, rastet e Covid-19 janë dyfishuar në Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Rusi dhe Ukrainë. Kështu deklaroi drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge. Komentet vijnë në një kohë kur disa vende europiane, përfshirë Republikën Çeke dhe Poloninë, po planifikojnë lehtësimin e kufizimeve të Covid-19 gjatë muajit të ardhshëm.
“Përballë valës së Omicron dhe qarkullimin e Deltas, nuk është momenti për të hequr masat që dihet se funksionojnë në frenimin e përhapjes së Covid-19”, tha Kluge.
Sipas tij, në mesin e këtyre masave përfshihet shmangia e ngjarjeve me shumë persona, vendosja e maskës në ambiente të brendshme dhe kryerja e testeve të shpejta për të identifikuar sa më herët rastet e infektimit.