OBSh-ja këmbëngul se virusi “Korona” është me origjinë shtazore
Pas spekulimeve të shumta për gjenezën e shpërthimit të virusit “Korona”, Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se deri më tani provat tregojnë se virusi është me origjinë nga shtazët, duke hedhur poshtë raportimet që është prodhuar në një laborator kinez.
Sipas mediave të huaja, presidenti amerikan Donald Trump tha se administrata e tij po shqyrtonte pretendimet e padëshmuara që virusi “Korona” buron nga një laborator në Wuhan.
Wuhan, një qytet në provincën Hubei të Kinës, konfirmoi rastet e para nga COVID-19 në fund të vitit të kaluar.
Kështu, të martën, zëdhënësja e OBSh-së, Fadela Chaib, tha se të gjitha provat sugjeruan se virusi nuk është manipuluar, ose të jetë ndërtuar në një laborator apo diku tjetër. “Virusi ka të ngjarë të ketë origjinë nga shtazët”, tha ajo në një konferencë për media në Gjenevë.
Sipas Chaib, ende nuk është bërë e qartë se si u transferua virusi nga kafshët te njerëzit.
“Ka të ngjarë që ka ‘rezervuarin’ e tij ekologjik në lakuriq, por mënyra se si virusi erdhi nga lakuriqët te njerëzit mbetet akoma për t’u zbuluar”, tha ajo.