OBSh-ja konfirmon: Lija e majmunëve përhapet seksualisht
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka konfirmuar transmetimin seksual të lisë së majmunëve në Republikën Demokratike të Kongos për herë të parë pasi vendi përjeton shpërthimin e kësaj sëmundje më të madhe ndonjëherë, një zhvillim shqetësues që shkencëtarët afrikanë paralajmërojnë se mund ta bëjë më të vështirë ndalimin e saj.
Në një deklaratë agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha se një banor i Belgjikës udhëtoi në Kongo në mars dhe rezultoi pozitiv për linë e majmunëve.
OBSH-ja tha se individi “e identifikoi veten si një burrë që ka marrëdhënie seksuale me burra të tjerë” dhe se ai kishte shkuar në disa klube për burra homoseksualë dhe biseksualë.
Ndër kontaktet e tij seksuale, pesë më vonë rezultuan pozitivë me lijën e majmunit, tha OBSH, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo është prova e parë përfundimtare e transmetimit seksual të lisë së majmunëve në Afrikë”, tha Oyewale Tomori, një virolog nigerian i cili është pjesë e disa grupeve këshilluese të OBSH-së. “Ideja se ky lloj transmetimi nuk mund të ndodhte këtu tani është hedhur poshtë”.
OBSH-ja shtoi se shpërthimi i lisë së majmunëve këtë vit në Kongo, ka infektuar më shumë se 12.500 njerëz dhe ka vrarë rreth 580.
Virusi shkakton ethe, të dridhura, skuqje dhe lezione në fytyrë ose në organet gjenitale. Shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh pa kërkuar shtrimin në spital.