OBSH-ja me paralajmërim të ri rreth përhapjes së Covid-19
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka nisur një tjetër paralajmërim, duke thënë se pandemia me koronavirus është duke u zgjeruar më herët se secilën herë tjetër prej kur ka shpërthyer virusi.
Vetëm Shtetet e Bashkuara më 1 korrik, kanë raportuar 50,000 raste të të infektuarve brenda ditës. Shkalla e infektimit javën e kaluar ka arritur në nivelin më lartë, kanë treguar të dhënat e OBSH-së.
Shefi i kësaj Organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se numri i rasteve të infektimit brenda ditës ka arritur në mbi 160,000 në nivel global.
Rritja e numrit të të infektuarve ka detyruar zyrtarët amerikanë, sidomos në shtetet jugore dhe ato perëndimore, që të kthejnë mbrapsht vendimet për hapje të restoranteve dhe plazheve, në prag të shënimit të pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik.
Kjo situatë duket se ka ndryshuar edhe tonin e presidentit amerikan, Donald Trump për vendosje të maskave.
“Unë jam për vendosje të maskave. Mendoj se maskat janë të mira. Njerëzit mund të më shohin duke e vendosur atë”, ka thënë ai përgjatë një intervsite për Fox Business.
Trump është kritikuar për rezistim të vendosjes së maskës, mirëpo me rritjen e numrit të rasteve të infektimit, ai ka thënë më 1 korrik, “nëse do të isha shumë afër njerëzve, do ta vendosja atë”. Kompania amerikane, Apple ka njoftuar se do të mbyllë 30 dyqane më 2 korrik, gjysmën prej tyre në Kaliforni.