OBSh-ja paralajmëron për rrezikun e shpërthimit biologjik në Sudan
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për një “rrezik të lartë biologjik” në një laborator të uzurpuar gjatë luftimeve në Sudan.
Zyrtarët thanë se është e paqartë se kush qëndron pas uzurpimit të Laboratorit Kombëtar të Shëndetit Publik në kryeqytetin Kartum.
OBSH-ja i tha BBC-së se punëtorët nuk mund të hyjnë më në laborator dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike janë duke e bërë të pamundur menaxhimin e duhur të materialit atje.
Zyrtarët thanë se një gamë e gjerë materialesh biologjike dhe kimike ruhen në laborator. Bëhet fjalë për patogjenë të fruthit dhe kolerës, si dhe materiale të tjera të rrezikshme.
Mungesa e rrymës raportohet se është duke vënë në rrezik edhe rezervat e qeseve të gjakut, që ruhen në laborator.
Laboratori gjendet afër qendrës së Kartumit dhe jo shumë larg aeroportit kryesor të qytetit.
Ministria Federale e Shëndetësisë në Sudan ka raportuar se 36% e objekteve shëndetësore në Kartum janë jofunksionale, për shkak të luftimeve.
Tashmë prej dhjetë ditësh Sudani është përfshirë nga luftimet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).