OBSH-ja paralajmëron Shqipërinë: Nuk po respektohen masat, vendi rrezikon të mbyllet sërish
Rastet e shtuara të Covid-19 në Shqipëri po shihen me shqetësim edhe nga përfaqësuesja e OBSH-së në këtë vend, Bettina Menne.
Në një intervistë për Tv Klan, Menne ka theksuar se masat e ndërmarra në fillim të pandemisë ishin pozitive, por mosrespektimi i tyre mund të rikthejë karantinën.
“Jam shumë e lumtur që vendi juaj është hapur sërish por epidemia nuk ka mbaruar dhe ajo që ne shohim është rritje e rasteve, që do të thotë se të afërmit tuaj mund të infektohen. Ne rekomandojmë që i gjithë stafi që punon në spital dhe mund të ketë kontakt me persona të infektuar, duhet të vendosë maskë, dhe po ashtu në transport publik si dhe në bare e restorante që nuk ka 1.5 metër distancë fizike, përndryshe do t’ju duhet ta mbyllni edhe njëherë vendin. Por a e imagjinoni dot? Vendi duhet të zhvillohet, ekonomia po ashtu, është përgjegjësi sociale e të gjithëve. Autoritetet dhe kompanitë të shmangin infektimin që të mos bëhet me mbyllje dhe marrje masash strikte dhe njëherë”, ka deklaruar ajo.
Përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri ka thënë se përveç protestave të organizuara në Tiranë, tashmë po vihen re edhe grumbullime nga vetë njerëzit në bare dhe restorante.
“Ti shikon në çdo vend të madh në Tiranë, shikon në bare dhe restorante ku distanca fizike nuk respektohet. Duhet të bëhet shumë kujdes në transportin publik, në respektimin e rregullave. E di që hapja e tij është një lajm i mrekullueshëm, por kjo do të varet nga çdo qytetar që do ta përdorë transportin publik por edhe nga kompanitë qe kanë autobusët, pasi duhet të bëjnë dezinfektimin”, ka deklaruar Menne.
Ajo ka rekomanduar përdorimin e maskave nga të gjithë kategoritë shoqërore si dhe bluzat e bardha për frenimin e përhapjes së Covid-19.