OBSh: Ja pse rastet e pacientëve që shërohen por dalin prapë pozitivë me Covid-19

07 maj 2020 | 21:01

Pacientët e infektuar nga koronavirusi, të shëruar por që dalin sërish pozitivë, nuk janë të riinfektuar. Këtë ka deklaruar së fundmi Organizata Botërore e Shëndetit, që tregon se në fakt pacientë të tillë dalin ende pozitivë për shkak të procesit të largimit të qelizave të infektuara e të vdekura nga mushkëritë.

Shqetësimi u ngrit nga autoritetet shëndetësore në Korenë e Jugut pasi atje u raportuan më shumë se 300 raste të pacientëve të shëruar nga virusi, por që më vonë dolën sërish pozitivë.

Kjo ka hapur edhe debatin lidhur më masat e kufizimit dhe karantinimit, pasi ekspertët thonë se nëse kjo është e vërtetë, ç’kuptim do kishte?

Megjithatë rezultate të tilla të testit që e tregojnë një pacient të shëruar të riinfektuar duket të jetë i rremë për shkak të qelizave të mbetura në mushkëri.

Një zëdhënës nga OBSH ka thënë: Ne jemi të vetëdijshëm se disa pacientë dalin pozitivë pasi janë shëruar. Por ajo që dimë ne aktualisht, sipas të dhënave të fundit, duket se këta pacientë po dëbojnë mbetjet e qelizave të infektuara nga mushkëritë e tyre, dhe kjo është pjesë e procesit apo fazës së rikuperimit.

Për disa viruse si fruthi, ata që infektohen bëhen imunë për gjithë jetën, ndërsa për koronaviruset e tjera si SARS, imuniteti zgjat nga disa muaj deri në dy vjet, kohë kur premtohet edhe vaksina.

Njerëzit e infektuar me SARS-CoV-2 – virusi që shkakton COVID-19 – ndërtojnë antitrupa duke filluar një javë apo më shumë pas infeksionit ose fillimit të simptomave. Por ende nuk është e qartë nëse trupi ndërton imunitet të mjaftueshëm për të parandaluar një sulm të ri nga virusi ose, nëse ndodh, sa zgjat një imunitet i tillë.

“Ne kemi nevojë për mbledhjen sistematike të mostrave nga pacientët e rikuperuar për të kuptuar më mirë se sa kohë u duhet atyre për të larguar mbetet nga virusi,” tha zëdhënësi i OBSH duke shtuar: “Ne gjithashtu duhet të kuptojmë; të kesh virus të gjallë në trup nuk do të thotë se mund të transmetohet tek një person tjetër”.

Në një intervistë të fundit për BBC, epidemiologia e sëmundjeve infektive Maria Van Kerhove, pjesë e Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, shpjegoi skenarin e qelizave të vdekura.

‘Mushkëritë shërohen, por ka pjesë të mushkërive që kanë ende qeliza të vdekura që duhet të dalin jashtë. Për këtë arsye pacienti del sërish pozitiv. Nuk është më virus infektiv, nuk është riinfeksion, nuk është riaktivizim – është pjesë e procesit të shërimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita e premte në vendin tonë, do të karakterizohet me…