OBSh-ja: Transmetimi i koronavirusit përmes ajrit nuk mund të përjashtohet
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka bërë me dije se ka prova të reja që sugjerojnë se koronavirusi mund të përhapet nga grimca të vogla të mbetura në ajër.
Transmetimi përmes ajrit nuk mund të përjashtohet në ambiente të mbushura me njerëz, të mbyllura ose të ajrosura dobët, ka thënë Benedetta Allegranzi, udhëheqëse teknike për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, pranë OBSH-së.
Nëse provat konfirmohen, ato mund t’i ndikojnë udhëzimet për hapësirat e brendshme.
Një letër e hapur e më shumë se 200 shkencëtarëve ka akuzuar ditë më parë OBSH-në për nënvlerësimin e mundësisë së transmetimit të koronavirusit përmes ajrit.
“Kemi dashur që OBSH-ja t’i pranojë provat”, i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters”, Jose Jimenez, një kimist në Universitetin e Kolorados, i cili e ka nënshkruar letrën.
“Ky nuk është sulm kundër OBSh-së. Është një debat shkencor, por e kemi ndjerë se kemi nevojë të dalim në publik, sepse ata nuk pranuan t’i dëgjojnë provat edhe pas shumë bisedave me ta”, ka thënë Jimenez.
OBSh-ja, deri më tash, ka thënë se virusi transmetohet nga spërkatjet kur njerëzit kolliten ose teshtijnë.
Koronavirusi, që shkakton sëmundjen Covid-19, ka prekur mbi 11 milionë njerëz në gjithë botën.
Prej tyre, mbi 544 000 kanë vdekur, ndërsa mbi 6.4 milionë janë shëruar.