OBSh-ja tregon sot nëse lija e majmunëve përbën emergjencë globale
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) do ta mbledhë përsëri sot komitetin e ekspertëve të lisë së majmunëve për të vendosur nëse përhapja aktuale përbën një emergjencë shëndetësore globale, alarmi më i lartë që mund shpallet.
Një takim i dytë i komitetit të urgjencës të OBSh-së për virusin do të mbahet për t’i shqyrtuar provat mbi situatën në përkeqësim, me rreth 14 000 raste të raportuara nga më shumë se 70 vende.
Një rritje e infeksioneve nga lija e majmunëve është raportuar që nga fillimi i majit jashtë vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ku sëmundja ka qenë prej kohësh endemike.
Më 23 qershor OBSh-ja mblodhi një komitet urgjent ekspertësh për të vendosur nëse lija e majmunëve përbën një të ashtuquajtur Emergjencë të Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar (PHEIC) – niveli më i lartë i alarmit të agjencisë shëndetësore të OKB-së.
Por shumica e këshilloi shefin e OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, se situata, në atë pikë, nuk e kishte arritur pragun.
Tani do të mbahet një takim i dytë, pasi numri i rasteve është rritur dhe është përhapur në gjashtë vende të tjera javën e kaluar.
Nëse komiteti këshillon Tedros se përhapja përbën një PHEIC, ai do të propozojë rekomandime të përkohshme se si të parandalohet dhe reduktohet më mirë përhapja e sëmundjes dhe të menaxhohet reagimi global i shëndetit publik.