OBSh: Po punohet në 70 vaksina kundër virusit “Korona”
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekipe të ndryshme të shkencëtarëve në mbarë botën janë duke punuar në 70 vaksina të ndryshme për parandalimin dhe shërimin e të infektuarve nga virusi “Korona”, ndërsa tri prej tyre tashmë kanë hyrë në fazën e testimit në njerëz.
Një nga vaksinat që po testohet në njerëz është zhvilluar nga Instituti i Pekinit për Bioteknologji, ndërsa dy të tjerat nga kompanitë amerikane.
Pjesa tjetër e vaksinave, të zhvilluara nga shkencëtarët botërorë, përfshirë ata britanikë është, gjithashtu, duke shkuar drejt fazës së testimit në njerëz.
Në Shtetet e Bashkuara kompania “Moderna” e mori miratimin për testim muajin e kaluar, ndërsa kompania tjetër, “Inovio”, mori leje për testim të vaksinës në njerëz javën e kaluar.
Vaksinat e tjera po zhvillohen nga shkencëtarët e universiteteve të ndryshme të botës, përfshirë Universitetin e Osakas në Japoni, Universitetin e Queenslandit në Australi dhe Universitetin e Oksfordit në Britaninë e Madhe.
Industria e ilaçeve po shpreson që të shkurtohet koha që zakonisht nevojitet që një vaksinë e re të dalë në treg – rreth 10 deri në 15 vjet – në një vit ose një vit e gjysmë, shkruan “Daily Mail”.