OBSh: Puna me orare të zgjatura vret 745 mijë njerëz çdo vit
Orët e gjata të punës po vrasin qindra mijëra njerëz në vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Studimi i parë global i këtij lloji tregoi se 745.000 njerëz vdiqën në vitin 2016 nga goditje në tru dhe sëmundje të zemrës për shkak të orëve të gjata në punë.
Raporti zbuloi se njerëzit që jetonin në Azinë Juglindore dhe rajonin e Paqësorit Perëndimor ishin më të prekurit. OBSH gjithashtu tha që tendenca mund të përkeqësohet për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Puna mbi 55 orë në javë, shoqërohej me një rrezik 35% më të lartë të goditjes në tru dhe një rrezik me 17% më të lartë të vdekjes nga sëmundja e zemrës, krahasuar me një javë pune që varion nga 35 në 40 orë.
Studimi, i kryer me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), gjithashtu tregoi se tre të katërtat e atyre që vdiqën si rezultat i orëve të gjata të punës ishin burra të moshës mesatare ose më të vjetër.
Ky studim nuk përfshin periudhën e pandemisë, por zyrtarët e OBSH-së thanë se puna nga distanca dhe ngadalësimi ekonomik mund të kenë rritur rreziqet që lidhen me orët e gjata të punës.
“Ne kemi disa prova që tregojnë se kur vendet hyjnë në bllokim kombëtar, numri i orëve të punës rritet me rreth 10%”, tha oficeri teknik i OBSH Frank Pega.
Raporti shpjegon se orët e gjata të punës janë përgjegjëse për rreth një të tretën e të gjitha sëmundjeve të lidhura me punën, duke e bërë atë barrën më të madhe të sëmundjes profesionale.
OBSH sugjeron që punëdhënësit duhet ta marrin parasysh këtë kur vlerësojnë rreziqet e shëndetit në punë të punëtorëve të tyre. “Është vërtet një vendim i zgjuar të mos rrisni orët e gjata të punës në një krizë ekonomikez”, tha Pega./BBC/