OBSH u krijua 72 vjet më parë, çfarë buxheti zotëron dhe si i ka përballuar epidemitë
Në mendjen e njerëzve kthehet roli i OBSH në veçanti në kohërat e sëmundjeve të rënda, epidemive dhe pandemive, si për shembull në vitin 2009 me rastin e përhapjes së gripit të derrave, 2014 dhe 2019, për shkak të Ebolës dhe tani kur bota po përballet me pandeminë e rëndë të virusit Corona.
Por detyrat dhe fushëveprimi i OBSH është shumë më i gjërë. Qëllimi është që në mbarë botën të ofrohet një shërbim sa më i mirë shëndetësor dhe që në veçanti në kohërat e krizave dhe katastrofave të ofrohet një ndihmë sa më e shpejtë dhe e mirë. OBSH mbikqyr zhvillimet në shëndetësi në mbarë botën, gjendjen me ushqimin dhe kushtet sanitare.
OBSH ka 194 vende anëtare dhe mbështet hulumtimet në shëndetësi, përcaktimin e normave dhe standardeve në këtë fushë. Ideja e autoriteteve shëndetësore është paraqitur me rastin e themelimit të Kombeve të Bashkuara, pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me 1945.
Ato e kishin të qartë se mbajtja e paqës dhe sigurisë në botë nuk është e mundur pa mirëmbajtjen e shëndetit dhe pa zgjidhjen e problemeve të mëdha të asaj kohe në këtë fushë. Kushtetuta e OBSH është miratuar dhe nënshkruar në vitin 1946 nga 61 vende të ndryshme në New York.
Me 7 prill 1948, pra në ditën që sot konsiderohet si dita e themelimi të OBSH, është futur në fuqi. Selia e OBSH gjendet në Gjenevë të Zvicrës, e ajo ka rreth 150 zyra rajonale në botë. OBSH pohon se ajo ka rreth 7000 bashkëpunëtorë.
Buxheti i OBSH për periudhën 2020-2021 ka rreth 4,8 miliardë dollarë amerikanë, pra rreth 4,2 miliardë Euro. Rreth një e pesta e buxhetit sigurohet nga kontributet e 194 vendeve anëtare. Por nuk paguajnë të gjitha vendet shumën e njëjtë. Pagesat varen nga fuqia ekonomike e vendeve anëtare.
Pjesa më e madhe e sasisë tjetër të buxhetit varet nga kontributet vullnetare të vendeve anëtare si dhe donacionet e fondacioneve, institucioneve të OKB, por edhe personave privat. Kjo pjesë e financimit është rritur në mënyrë permanente në dekadat e fundit, e njëkohësisht janë shtuar edhe kritikat për mungesë pavarësie të OBSH.
Shoqata Gjermane për Kombet e Bashkuara (DGVN) pohon për shembull se në periudhën 2010 -2011 kanë qenë ndër vendet me pagesat më të mëdha (me mbi 60 % të buxhetit): SHBA, Japonia dhe Gjermania. Ndërsa në vitet 2012-2013 paguesi më i madh ka qenë Bill & Melinda Gates Foundation, pra para SHBA dhe vendeve të tjera.
Në luftën për parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave të virusit Corona, OBSH ka një rol qendror. Tek infektimet me virusët e sëmundjeve si AIDS, Malaria apo COVID-19, OBSH koordinon aktivitetet ndërkombëtare, ndër to edhe bashkpunimin për hulumtimet në fushën e virusit Corona, për teste, medikamente dhe vaksina. OBSH ka inicuar edhe një studim klinik për testimin e medikamenteve ekzistuese në luftën kundër Covid-19.
Ajo është edhe pjesë e programeve të tjera në luftën kundër virusit, ku ndahen edhe sasi të konsiderueshme parash. Ekspertët e saj kanë bërë edhe programe emergjente për veprime të caktuara, si për shembull, masat e karantinës, ndalimi i udhëtimeve etj. Sugjerimet e OBSH nuk janë obliguese, por respektohen në të shumtën e rasteve.
OBSH e ka shpallur virusin Corona si pandemi në fillim të marsit, që do të thotë se përmasat e rrezikut dhe përhapjes së saj janë përmasa botërore. Drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se vet shpallja e pandemisë nuk paraqet ndonjë ndryshim esencial në punën e OBSH dhe vendeve anëtare.
OBSH është lavdëruar kohët e fundit për shkak të përhapjes së njohurive për rrezikun dhe veprimit në kohën e krizës së virusit Corona. Në kohën e krizës së pandemisë me gripin e derrit (2009) apo Ebola (2014 dhe 2015) ka pasur kritika ndaj punës së OBSH.
Kjo ka bërë që OBSH të ndërrojë punën e saj në kohën e krizave. Suksesi i tanishëm global lidhet edhe me emrin e shefit të ri të OBSH Tedros, i cili nuk heziton fare që të paraqitet në opinion. Por Tedros është kritikuar për lëvdatat e tij ndaj Kinës, në rastin e luftimit të pandemisë atje, sepse Kina fillimisht ka heshtur për krizën në Wuhan e pastaj vendosi masa shumë rigoroze atje./shqip