O’Connelli: Duhet ende punë për përmirësimin e sundimit të ligjit
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të caktuara të cilat do të ndikonin në ngritjen e efikasitetit të këtij sistemi.
Këtë zotim diplomati anglez e ka dhënë në takimin me kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.
Gjatë këtij takimi, O’Connell dhe Isufaj janë pajtuar që sistemi prokurorial përbën një komponentë kyçe në vendosjen dhe ruajtjen e sundimit të ligjit dhe se duhet ende punë për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Isufaj e ka njoftuar ambasadorin O’Connell me punët që janë duke u realizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe sistemi prokurorial në përgjithësi, ndërsa ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar po e jep për këtë sistem.
Po ashtu, ai ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, sidomos në mbështetjen e kësaj të fundit në fuqizimin e kapaciteteve të Këshillit për administrim efektiv të sistemit prokurorial.