O’Connelli: Prokurimi publik në Kosovë përballet me sfida
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me krerët e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Ministrisë së Shëndetësisë (Msh), Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në procesin e prokurimit.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Ai ka thënë prokurimi publik në Kosovë po përballet me sfida të shumta dhe se shpesh ka shërbyer si burim i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të skandaleve të njëpasnjëshme dhe akuzave të kontratave të fryra në prokurim. Kur është në pyetje një punë private, njerëzit mund të vendosin si të duan dhe t’i japin kontratat kujt të duan, por kur zyrtarët marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës, ata duhet të mendojnë për interesin e qytetarëve se si i shpenzojnë fondet publike dhe jo për përfitimet e tyre personale”, ka shtuar ai.
Sipas O’Connellit, Kosova ka pasur iniciativa, struktura, burokraci një pas një për të parandaluar korrupsionin dhe faktor kryesor është vullneti politik, faktori ky që ka munguar dhe e ka lejuar korrupsionin.
/Epoka e re/