Oda Amerikane: Çrregullimet e shkaktuara nga pandemia krijojnë edhe mundësi për prodhuesit

25 prill 2020 | 16:38

Sfidat në të bërit biznes të cilat janë paraqitur nga pandemia COVID-19 dhe çrregullimet në zinxhirë ndërkombëtarë të furnizimeve po krijojnë mundësi për zhvillimin e disa industrive në Kosovë sidomos sektorin e prodhimit.

Në këto kohë pasigurie kur niveli i konsumit është më i lartë, roli i prodhuesve të cilët tani kanë ndikimin më të madh në ekonominë e shtetit po shihet si gjithnjë e më i rëndësishëm.

Pikërisht kjo perspektivë mbi ndikimin, sfidat dhe mundësitë e krijuara nga kjo situatë ka qenë tema e diskutimit në forumin virtual i cili u organizua nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me panelistët Visar Ramajli, bashkëpronar dhe partner menaxhues në fabrikën e produkteve të plastikës KIVO dhe Mërgim Prishtina, kryeshef ekzekutiv dhe themelues i kompanisë prodhuese farmaceutike Trepharm, që të dy njëkohësisht edhe anëtarë të Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane.

Visar Ramajli nga kompania KIVO, tha se edhe të gjitha industritë janë goditur nga pandemia, si në aspektin e vështirësimit të zinxhirëve globalë të furnizimit por edhe implikimeve që kanë buruar nga vendimet e qeverisë.

Ramajli megjithatë tha se pavarësisht këtyre problemeve të krijuara, nuk ka pasur ndërprerje të plotë të prodhimit dhe qarkullimit të mallrave.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për punëtorët të cilët me përpjekjet e tyre e kanë mbajtur prodhimin në nivel.

Duke folur për ndikim e përgjithshëm në ekonomi, Ramajli tha se në këtë kohë nuk mund të ketë një vlerësim të mirëfilltë për gjendjen dhe pasojat e pandemisë por duhet të punohet në zhvillimin dhe forcimin e ekonomisë, duke shtuar se do të ketë mundësi të reja për industritë prodhuese në periferi të Evropës, meqë me gjasë kompanitë e mëdha do të zhvendosin prodhimin ose furnizimin e tyre nga Azia.

Duke u ndërlidhur me rikuperimin ekonomik pas pandemisë, Ramajli tha se shteti i Kosovës duhet të bëhet më atraktiv për investitorët e huaj në mënyrë që të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik. Për këtë zhvillim është e nevojshme që të investohet në sektorë me mundësi eksporti, pra në sektorin e prodhimit të produkteve ekzistuese por edhe produkte të reja.

Mërgim Prishtina nga kompania Trepharm, tha se kjo situatë e krijuar ka pasur ndikim të madh në industritë prodhuese e sidomos ato farmaceutike, për shkak të kërkesës së rritur.

“Ndikimi është reflektuar përmes reduktimit të stafit fizik brenda mjediseve të Trepharm por edhe vështirësive në sigurimin e lëndës së parë si pasojë e rritjes së blerjeve të shkaktuara nga paniku anembanë botës, blerje të cilat e kanë çrregulluar zinxhirin furnizues dhe prodhimin në nivel vendor dhe global”, deklaroi ai.

Ai tha se situata e re pas pandemisë do të krijojnë një mundësi të re për kompanitë prodhuese në Kosovë. Megjithatë ai foli edhe për nevojën e ndryshimit të perceptimit që politikbërësit në Kosovë kanë për ndërmarrësit në Kosovë në përgjithësi, duke theksuar se përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të diskutohet edhe për fuqizimin e prodhimit në përgjithësi por edhe të rikuperimit të shpejtë pas përfundimit të pandemisë.

Prishtina, më tej tha se prodhuesit nga Ballkani po planifikojnë që të nisin prodhimin e produkteve të cilat deri më tani kanë qenë të kontraktuara në shtetet e tjera, për të plotësuar kështu edhe nevojat e brendshme të konsumit, por edhe nevojat e kontinentit të Evropës në tërësi.

Forumet virtuale të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë mbështeten nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti dhe njëherësh profesori universitar Rrahman Paçarizi ka deklaruar se…