Oda Amerikane e shqetësuar për korrupsionin në rritje në Kosovë
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit shpreh shqetësimin lidhur me transparencën në rënie dhe angazhimin e ulët të Qeverisë së vendit dhe të institucioneve të tjera shtetërore në luftimin e korrupsionit.
“Arritja e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve përgjegjëse për heqjen e një njolle që vazhdon të pasqyrojë vendin në raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare e vendore. Raportimet e tilla padyshim se zvogëlojnë mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndërsa viti 2018 sjell shifra shqetësuese në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e dërguar nga OEAK.
Studimi i fundit i Odës Amerikane mbi perceptimin e korrupsionit ka gjetur se mbi 75% e bizneseve besojnë se korrupsioni në Kosovë është sistemor, derisa faktorët që mundësojnë korrupsionin janë sundimi i dobët i ligjit, mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe korniza e mangët ligjore, derisa mbi 50% e bizneseve të anketuara besojnë se niveli korrupsionit ka mbetur i njëjtë krahasuar me pesë vite më parë.
Studimi po ashtu ka gjetur se institucionet në të cilat bizneset janë ballafaquar me korrupsion përfshijnë ministritë e linjës, ndërmarrjet publike, zyrtarët tatimorë, institucionet e drejtësisë dhe komunat.
Më tej Oda Amerikane vlerëson se një gjyqësor efikas dhe llogaridhënës do të ishte jetik në çrrënjosjen e korrupsionit, derisa perceptimi mbi institucionet e korruptuara të drejtësisë rrënon besimin e bizneseve dhe dekurajon rolin e tyre aktiv në raportimin e veprimeve korruptive.
Studimi mbi perceptimin e korrupsionit ka gjetur se vetëm 15% e bizneseve kanë raportuar rastet e korrupsionit tek autoritetet përkatëse.
“Oda Ekonomike Amerikane beson se asnjë prioritet tjetër nuk do të duhej të linte në hije luftën kundër korrupsionit, meqë një mjedis pa korrupsion do të ofronte prospekte të barabarta zhvillimore për bizneset e vogla dhe të mesme, do të rriste mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, e rrjedhimisht do të ofronte edhe mundësi reale për vende të reja të punës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga OAEK.