Oda Amerikane nis Javën e Arbitrazhit me diskutim mbi rolin e gjyqësorit, arbitrazhit dhe akademisë
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë nisi Javën e Arbitrazhit me një diskutim mbi Qasjet e ndërthurura nga gjyqësia, praktika arbitrazhit dhe fusha akademike, me një panel të përbërë nga Mahir Tutuli, Kryetar i Gjykatës Komerciale, Iset Morina nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, dhe Sokol Elmazaj, arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane.
Në fjalimin hapës, Kujtesa Nezaj-Shehu, Kryesuese e Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit, foli për përkushtimin e Qendrës së Arbitrazhit për të zgjeruar përdorimin e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit në Kosovë. Nezaj-Shehu iu referua edhe iniciativës së fundit të Odës Amerikane për të pasuruar listën e arbitrave, duke inkurajuar profesionistët që të shqyrtojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e listës.
Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, foli për sfidat në të cilat hasin gjykatat në lidhje me arbitrazhin, veçanërisht keqkuptimet rreth procedurave dhe pritshmëritë e palëve. Ai theksoi se vendimet e arbitrazhit janë të detyrueshme dhe gjykatat luajnë një rol të kufizuar, por thelbësor, për të siguruar respektimin e vendimeve të arbitrazhit.
Profesori Iset Morina, ofroi një analizë përmbajtësore akademike të arbitrazhit. Morina diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimit të arbitrazhit me gjyqësorin, veçanërisht sa i përket ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit, si dhe mbi sfidat e krijuara nga mungesa e dispozitave specifike ligjore në Kosovë.
Arbitri Sokol Elmazaj vijoi diskutimin me një qasje praktike, duke theksuar arsyet për të cilat palët zgjedhin arbitrazhin në vend të gjyqësorit tradicional, dhe rëndësinë e përfshirjes së një klauzole arbitrazhi në kontrata. Elmazaj gjithashtu trajtoi rolin kritik të përzgjedhjes së arbitrave dhe nevojën për ekspertizë në fushën përkatëse dhe në praktikën e arbitrazhit.
Panelistët ranë dakord se bashkëpunimi dhe dialogu i shtuar mes gjyqësorit, praktikuesve të arbitrazhit dhe akademisë është thelbësor për rritjen dhe përmirësimin e mëtejshëm të arbitrazhit në Kosovë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar për të promovuar shfrytëzimin e mekanizmave alternativë për zgjidhjen e kontesteve dhe zhvillimin e praktikës së mirëfilltë të arbitrazhit. Gjatë kësaj jave, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë do të ndajnë ekspertizën e tyre me një audiencë që përfshin avokatët, zyrtarët ligjorë, bizneset dhe studentët.