Oda Amerikane pas bllokimit të kosovarëve: Serbia po e shkel Marrëveshjen për Normalizim
Autoritetet serbe kanë ndaluar të mërkurën autobusë me udhëtarë nga Kosova dhe vetura, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet serbe për të bllokuar lëvizjen e disa autobusëve që transportojnë njerëz nga Kosova për në Evropën Perëndimore.
Oda Amerikane thekson se kjo bllokadë në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”, thuhet më tej.
Oda Amerikane beson fuqishëm se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, prandaj kufizimet e tilla jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon.
“Prandaj, Oda Amerikane i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve. Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha palët e interesuara për të adresuar çdo sfidë dhe pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve”, thuhet tutje në reagim.