Oda Amerikane prezanton programin e BERZH-it për përmirësim të menaxhimit financiar  

10 shtator 2020 | 13:49

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ernst and Young Kosovo and Albania (EY), kanë organizuar një forumi virtual gjatë së cilit u prezantua Programi i BERZH për Përmirësimin e Menaxhimit Financiar, dhe mundësitë që ofron Ernst and Young për mbështetje të këtij programi.

Sipas OEAK, menaxhimi më i mirë i financave të ndërmarrjeve,  si dhe raportimi korrekt i tyre ka marrë një rëndësi të theksuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, e cila ka shkaktuar çrregullime të paprecedenta mbi ekonominë e vendit.

Arian Asolli, analist në programin e BERZH Këshilla për Bizneset, ka thënë se qëllimet e këtij programi të cilat mes tjerash përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve të kompanive vendore për menaxhim dhe raportim financiar, në mënyrë që të njëjtat të krijojnë lehtësira për qasje direkte apo indirekte në kreditë që ofron BERZH, si dhe rritjen e atraktivitetit të bizneseve për investitorët vendas dhe ata të huaj. Asolli po ashtu shtjelloi kriteret të cilat duhet plotësuar nga bizneset për përfshirje në këtë program, derisa përmendi edhe profilin ideal të kompanive që kjo bankë po kërkon. “Ai gjithashtu bëri të ditur se përkrahja e BERZH do të jetë 75% e kostove totale”, është thënë në komunikatën e OEAK.

Ndërsa, Emel Visha, menaxhere në zyrën e EY Kosovo and Albania për Strategji dhe Transaksione, ka deklaruar se në kuadër të këtij programi, EY nëpërmjet strukturave të veta ka krijuar modelin e qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve, të ndarë në tre etapa të cilat përfshijnë përgjigjen me urgjencë tani, përgatitjen për të ardhmen dhe të menduarit tutje, duke marrë në konsideratë çrregullimet e shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Ajo potencoi pikat kryesore për ndërhyrje në biznes ku kjo kompani mund të ofrojë asistencë, duke përmendur përgatitjen e një plani të biznesit, parashikimin e likuiditetit dhe analizën e skenarëve, si dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për proceset e aplikimit për ndihmë financiare. Për më tepër, Visha foli edhe për problematikat e ndryshme të cilat po i hasin bizneset, dhe mbështetjen që EY mund të ofrojë në adresimin e të njëjtave.

Kurse, Shkëmb Gashi, menaxher në departamentin e auditimit në kompaninë Ernst and Young Kosovo and Albania foli për gjendjen aktuale të ekonomisë së Kosovës duke tërhequr paralele në mes të situatës para-pandemike dhe asaj të tanishme, duke vlerësuar ndikimet që pandemia Covid-19 ka pasur mbi veprimtaritë e bizneseve dhe ekonominë në përgjithësi. Ai gjithashtu theksoi një ndër problematikat më primare me të cilat ballafaqohen ndërmarrësit sot, siç është risku i vijimësisë së biznesit duke shtuar se EY ofron mbështetje përmes analizave të ndryshme makroekonomike, të faktorëve specifik të ndërmarrjes që mund të ndikohen nga pandemia dhe analiza të tjera sipas nevojës.

(A.M/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, do ta takojë në Shkup…