Oda Amerikane propozon të rritet borxhi publik
Ardhja e diasporës këtë vit mund ta determinojë rritjen ekonomike në Kosovë.
Për kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ndihmesë të madhe në ekonomi ka dhënë edhe tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti me një vlerë totale prej 200 milionë euro.
Zeka thotë se këtë vit ndonëse nuk parashihet një masë e tillë kjo do të jetë një qarkullim i reduktuar në ekonominë vendase.
“Sa i përket rritjes ekonomike meqenëse diaspora ka një ndikim goxha të madh gjithçka do të varet edhe nga ardhja e tyre. Nëse do të kishim fluks të madh të vizitorëve nga diaspora siç e kishim në vitin 2021 që tash mund të flasim për një parashikim të krahasueshëm me atë të vitit të kaluar. Këtë vit do të kemi edhe një hendek tjetër për sa i përket aktiviteteve ekonomike dhe normës së rritjes në përgjithësi. Vitin e kaluar kishim heqje të trustit në shumën e 200 milionë eurove të cilat natyrisht që kanë gjetur vendin e tyre në ekonominë e vendit. Këtë vit nuk kemi një masë të tillë që i bie që edhe qarkullimi në përgjithësi do të jetë më i reduktuar, sidomos nëse do të kemi vizita më të vogla nga ana e pjesëtarëve të diasporës”, tha Zeka.
Ndërsa ngritja e çmimeve në muajt e fundit është dashur sipas tij të përcillet me ngritje të pagave në sektorin publik dhe të pagës minimale. E propozimi i ZRRE-së për ngritje të faturave të energjisë, sipas Zekës do ta rëndojë edhe më shumë shportën e konsumatorit.
“E tërë kjo valë e ngritjes se çmimeve që kemi parë në muajt e fundit nuk është përcjellë me ngritje të pagave as në sektorin publik dhe as në atë privat. Në anën tjetër flitet për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike që do të rëndojë edhe më tej shportën e konsumatorit dhe do ta reduktojë fuqinë blerëse të qytetarëve të vendit dhe mund ta thellojë edhe më tej gjendjen socio ekonomike në vend. Dëshiroj të besoj se do të ketë një reagim në këtë aspekt dhe të përcillet me ngritje të pagave dhe të shmangim thellimin e varfërisë për disa segmente të caktuara të popullsisë tonë dhe ta ndalim këtë tendencën e qytetarëve për tu larguar nga Kosova dhe për të shkuar në vende të tjera në kërkim të një jete më të mirë”, ka thënë Zeka./eo/