Oda Amerikane shpreh shqetësimin për plaçkitjet e armatosura ndaj bankave dhe bizneseve
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për plaçkitjet e armatosura ndaj bankave dhe bizneseve.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e konsideron sektorin bankar në Kosovë si një nga sektorët më vital për zhvillimin ekonomik të vendit. Një sistem i qëndrueshëm bankar konsiderohet parakusht për rritjen e investimeve në vend si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Marrë parasysh rëndësinë e tij, Kosova është me fat që ka një sistem shumë stabil bankar. Oda Ekonomike Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, të cilat kohët e fundit janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë, duke marrë përmasa alarmuese”, është thënë në reagimin e Odës Amerikane .
Sipas këtij reagimi, plaçkitjet e armatosura nuk kërcënojnë vetëm perceptimin e përgjithshëm për sektorin bankar, por përbëjnë edhe goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, e rrjedhimisht edhe kundër të ardhmes së Kosovës.
“Në sytë e investitorëve të huaj, rastet e tilla japin përshtypjen e sistemit të dobët të sundimit të rendit dhe të ligjit, duke rritur pasigurinë e të bërit biznes. Oda Ekonomike Amerikane u bënë thirrje autoriteteve të sigurisë si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse të vendit që të trajtojnë këtë çështje me seriozitet të lartë, duke marrë masa më të rrepta për ofrimin e sigurisë më të madhe për bankat dhe bizneset e tjera, si dhe ruajtjen stabilitetit të përgjithshëm në vend”, është theksuar në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
/Epoka e re/