Oda Amerikane takon senatorët dhe kongresmenët amerikanë
Thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë, janë kyçe për stabilitetin e tërë rajonit.
Ky ishte konkluzioni kryesor nga takimet e Bordit të Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me anëtarë të Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington.
Në takime të ndara me dhjetë ligjvënës amerikanë, lidershipi i Odës Amerikane ka prezantuar zhvillimet e shumta në Kosovë.
Mes tjerash, në këto takime është diskutuar edhe për promovimin më të madh të potencialeve ekonomike të Kosovës nga ana e ligjvënësve amerikanë, dhe organizimin e mundshëm nga ana e tyre të delegacioneve tregtare në Kosovë.
Gjatë dy ditëve, delegacioni i Odës Amerikane ka takuar kongresmenët Eliot Engel, Michael Guest, Dean Philips, Bill Flores, David Price (Kryesues i Partneritetit Demokratik te Kongresit), Mark Wayne Mullin, Adrian Smith, Mike Conaway dhe Tim Burchett.
Takim shumë i rëndësishëm ishte ai me Senatorin nga Shteti i Ajovas, Charles Grassley, kryesues i Komitetit për Financa të Senatit Amerikan, komitet ky i cili mbulon fushën e tregtisë dhe të tatimeve. Anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane kanë diskutuar edhe për nevojën e vazhdimit të statusit të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP) për Kosovën, i cili aktualisht u mundëson kompanive prodhuese nga Kosova eksportimin pa doganë të mbi 3,500 produkteve në SHBA, por edhe zgjerimin e listës me produkte të tjera.
Delegacioni i Odës Amerikane është pritur edhe në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Çështjeve të Evropës Juglindore, ku është diskutuar për nevojën që Kosova të demonstrojë stabilitet politik, të vazhdojë reformat në përmirësimin e mjedisit afarist dhe të promovojë tregtinë e lirë.
Mundësitë e reja të financimit për kompanitë kosovare pas krijimit të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC), janë diskutuar në takim me zyrtarët e Korporatës së Investimeve Private Tejoqeanike (OPIC).
Pas Uashingtonit, lidershipi i Odës Ekonomike Amerikane do të udhëtojë për në shtetin amerikan të Minnesotas, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me këtë shtet, në të cilin një numër i madh i kompanive nga lista “Fortune 500” e kanë selinë e tyre.
/Epoka e re/