Oda e Afarizmit zhvilloi takime me institucionet në Maqedoninë e Veriut
Me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, delegacioni i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) ka realizuar takime me disa nga institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës kanë realizuar takime me delegacionet nga Ministria e Ekonomisë kryesuar nga sekretarja e shtetit, Razmena Cekic, Ministria e Financave, kryesuar nga këshilltarja speciale Magdalena Simonovska, Ministria e Drejtësisë kryesuar nga shefja e kabinetit Aleksandra Vukovi dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave në Republikën e Maqedonisë së Veriut kryesuar nga shefi i kabinetit Dritan Ramadani.
Takimet u realizuan me qëllim të shkëmbimit të përvojave në dikasteret ku Maqedonia e Veriut ka avancuar më shumë, në mënyrë që këto praktika të analizohen dhe, sipas nevojës, të përpunohen ashtu që të bëhen më lehtë të përshtatshme për vendin tonë.
OAK-u konsideron që bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i informatave me njëri-tjetrin janë një nga mënyrat se si mund të arrijmë të gjithë të zhvillohemi së bashku.
Këto takime u realizuan nën organizimin e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, ku në takime u bashkëngjitën në delegacion edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Vlorat Gashi dhe përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Trajce Rushev.