Oda e Avokatëve tregon mangësitë që ka Projektligji i punës
Oda e Avokatëve ka diskutuar të hënën rreth Projektligjit të Punës, duke vënë në pah mangësitë dhe përparësitë e këtij projektligji.
Shpalosja e të gjeturave rreth këtij projektligji është bërë pas një punëtorie ku komiteti i Odës së Avokatëve ka mbajtur një takim për këtë projektligj.
Në këtë takim është thënë se në Projektligjin e Punës nuk është marrë shumë parasysh interesi i të papunëve dhe se ligji duhet të jetë i tillë që ta zbusë normën e papunësisë.
Avokati Florin Lata duke folur rreth shkallës së papunësisë në Kosovë, ka thënë se Projektligji i Punës mund të ndikojë në uljen e papunësisë por edhe rritjen e saj.
Sipas tij, me Projektligjin e Punës mund të parashihen barriera të cilat i pengojnë punëdhënësit të punësojnë punëtorë të rinj.
Ai ka thënë se Projektligji i Punës duhet të jetë katalizator i zhvillimit ekonomik.
Lata ka deklaruar se do t’i japin konkluzionet e tyre në lidhje me Projektligjin e Punës.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, deputetja Besa Baftiu, ka thënë se me gjithë mangësitë që ka pasur, i kanë dhënë mundësi projektligjit të diskutohet në seancë plenare.
Ajo ka bërë me dije se si komision, kanë kërkuar një hulumtim nga Zyra Ligjore pranë Kuvendit të Kosovës prej ku kanë marrë shumë vërejte.