Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kërkon nga qeveria heqjen e kufizimeve
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) ka kërkuar heqjen e kufizimeve teksa ka paralajmëruar protesta ose mosrespektim të masave, nëse nuk merren parasysh kërkesat e saj.
Në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Financave dhe saj të Shëndetësisë, OHTK-ja ka kërkuar të hiqen kufizimet aktuale në masat anti-Covid, të hiqet tatimi për vitin e shkuar, të bëhet shpërndarja e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, dhe të hiqet interesi bankar pas stopimit të kredive nga ana e qeverisë.
“Sa më parë që është e mundur të hiqen kufizimet sepse nuk kanë fare kuptim në këtë mënyrë që janë duke u zbatuar, ndërkohë kërkojmë që të dënohen apo të mbyllen të gjitha ato biznese të cilat nuk i respektojnë masat e mos ta pësojnë të gjithë. Kërkojmë në mënyrë kategorike të respektohet interpretimi i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë për hotelet dhe për mysafirët sepse ekzistojnë dëshmi që nuk po përfillet. Nga data 1 janar deri më 31 dhjetor 2020 urgjentisht të hiqet tatimi për të gjitha subjektet të cilat kanë qenë të mbyllura dhe nuk kanë punuar me të gjitha kapacitetet e plota”,ka njoftuar OHTK-ja.
Sipas këtij njoftimi, OHTK-ja ka kërkuar që shpërndarja e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, t’u dedikohet veprimtarive më të atakuara nga pandemia Covid-19.
“Pas stopimit të kredive nga ana e qeverisë, kërkojmë që pas fillimit të pagesave të hiqet interesi bankar që nga fillimi i periudhës së pandemisë”.
“Pas mbledhjes e cila do të mbahet në këtë javë, do të marrim vendime që në rast se nëse nuk përfillen kërkesat tona nga ana juaj, do të shkojmë deri në fund duke organizuar protesta ose edhe deri në mosnjohjen e këtyre rregullave!”, ka njoftuar OHTK-ja.
Sektori i hotelerisë s’ka punuar që nga fillimi i pandemisë, në muajin mars.