Oda e Hotelierisë: Nuk do t’i respektojmë masat e reja anti-Covid
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka reaguar ndaj paralajmërimit për vendosjen e masave të reja mbrojtëse ndaj Covid-19.
Kjo odë ka bërë thirrje të mos kufizohen bizneset sepse asnjë masë e palogjikshme nuk do të respektohet nga ta.
“Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës edhe njëherë i’u bën thirrje juve kushdo që jeni duke i planifikuar këto masa: Mos i kufizoni bizneset më, mos bëni eksperimente përndryshe asnjë masë e palogjikshme nga ana juaj nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet!”, është thënë në reagimin e kësaj ode.
Reagimi i plotë i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit:
Që nga fillimi i pandemisë, shumë biznese kanë pësuar shumë keq me dëmet dhe humbjet që u janë shkaktuar. Gjatë krejt kohës bizneset në përgjithësi kanë qenë të kujdesshëm në respektimin e masave, dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë në çdo aspekt për mbrojtjen e qytetarit.
Mirëpo në anën tjetër, pas një viti sakrificë të të gjitha bizneseve, të gjitha subjektet politike, të gjitha pa asnjë përjashtim, e shikuan vetëm interesin e vetë. Manipuluan me popullin duke u bërë kinse interesohemi për ju, dhe në momentin që i duhej po ky popull, u anashkaluan komplet masat duke dalë jashtë në turma, sikurse gjithçka ndërroj brenda nate, e nuk po ekziston më virusi, dhe në fund prapë se prapë me pasojat po përballen bizneset.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, prof.dr.Hysen Sogojeva ka reaguar duke thënë se: Është po i njëjti popull që tash është ‘liru’ e po dalin në kafe e restorante, sepse ishit pikërisht JU ata që i’u thatë që çdo gjë është në rregull, mundeni me dalë lirisht.
Pas të gjitha këtyre ndodhive, çka janë këto paralajmërime se mundet me pasur ndalesa të reja?
Po doni me i mbyllë prapë bizneset a?
Po doni prapë me i dënuar qytetarët me gjoba e në anën tjetër po i leni pa punë? Pikërisht në momentin kur bizneset filluan pak me u “kfjell” dhe me punuar, ju doni me i mbyll prapë a?
Ku është logjika e gjithë kësaj të nderuar!
Për qejfet e juaja politike desh u bëtë copë nëpër salla të dasmave e në oda, ndërsa bizneset që me shumë mund punuan ditë e natë qe sa kohë vetëm sa për të mbijetuar, fare nuk i morët parasysh.
Bizneset në fushën e gastronomisë dhe hotelerisë edhe gjatë kohës së fushatave tuaja me çdo kusht mundoheshin t’i respektonin masat e manualit, me qëllimin e vetëm ta ruajnë shëndetin e qytetarëve.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, prof. dr. Hysen Sogojeva i’u bën thirrje të gjitha bizneseve nga të gjitha sektorët vazhdoni t’i respektoni masat e manualit që i keni dhe të cilin bashkërisht e kemi punuar.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës edhe njëherë i’u bën thirrje juve kushdo që jeni duke i planifikuar këto masa: Mos i kufizoni bizneset më, mos bëni eksperimente përndryshe asnjë masë e palogjikshme nga ana juaj nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet!