Oda e Infermierëve e pakënaqur me Ligjin për pagat

04 shkurt 2019 | 16:16

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë të Kosovës, ka shprehur zhgënjimin e thellë pas aprovimit të Ligjit të pagave nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Arsye për këtë është trajtimi jo i barabartë dhe diskriminues i profileve që përfaqëson OIK-u me profesionistët tjerë të së njëjtës kategori sipas shkollimit (bachelor tri vite).

“Ne si OIK do t’i përdorim të gjithë mekanizmat institucional dhe ligjor që deri në hyrjen në fuqi të këtij Ligji të shikohet mundësia nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë çështje që të bëhet përmirësimi i këtij Ligji dhe zgjidhja e kësaj padrejtësie për komunitetin që përfaqëson OIK”, është thënë në reagimin e Odës së Infermierëve të Kosovës.

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë të Kosovës ka theksuar se bazuar në kompetencat që ka, do t’ju drejtohet me shkresë të veçantë ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Administratës Publike, kryeministrit, kryeparlamentarit, Komisioneve Parlamentare të përfshira në hartimin e këtij Ligji, presidentit, e po ashtu edhe Gjykatës Kushtetuese për mbrojtje legjitime të interesave të këtij komuniteti, duke u mbështetur në nivelet e shkollimit krahasuar me nivelet tjera të ngjashme të shkollimit bachelor tri vite të përfshira në këtë ligj.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur të…