Oda e Infermierëve reagon ndaj kanosjes së një infermieri në Prizren
Oda e Infermierëve të Kosovës ka thënë se është kanosur dhe është tentuar të sulmohet një infermier i anestezionit në Prizren nga familjarë të një pacienti.
Kjo odë ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të merren me rastin dhe ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin dhunën ndaj punonjësve shëndetësorë dhe të zgjidhin rastet në rrugë institucionale.
“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë është njoftuar nga Zahadin Destani, infermier i anestezionit në Prizren për një kanosje dhe tentim sulmi që ka ndodhur nga një familjar i një pacienti që e kishin transportuar nga Prizreni në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë”, është thënë në reagim, duke kërkuar nga organet e rendit ta zbardhin rastin.
“OIK, kërkon nga organet e hetuesisë që janë njoftuar me rastin, që të zbardhin rrethanat e kanosjes dhe tentim-sulmit ndaj infermierit dhe të ndërmerren veprime ligjore ndaj kujtdo që kanos apo sulmon punonjësit shëndetësorë”, është thënë në reagim.
Oda i ka shprehur keqardhje infermierit duke thënë se është shpeshtuar numri sulmeve karshi mantelbardhëve.