Oda e Mjekëve kërkon nga Qeveria që të kompensohen fëmijët e mjekëve që kanë humbur jetën nga Covid
Oda e Mjekëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që të kompensojnë me nga 1 mijë e 500 euro fëmijët e punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur në krye të detyrës.
Në kërkesat e tyre të cilat janë premtuar se do të realizohen, janë përfshirë fëmijët nën 18 vjeç, ndërsa ata mbi këtë moshë nuk do të marrin asgjë si kompensim, raporton Gazeta Express.
Oda e Mjekëve të Kosovës, më 12 janar të këtij viti, i ka nisur një shkresë ligjore kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, të cilëve u ka kërkuar që të kompensojnë familjarët e mjekëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Ata po kërkojnë, që fëmijët e punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur gjatë pandemisë, të cilët janë nën moshën 18 vjeç, të kompensohen me nga 1 mijë e 500 euro në muaj.
Ndërsa, nga kjo Odë është bërë e ditur sot se këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Alush Gashi u ka konfirmuar se kryeministri Hoti ka mbështetur kërkesën e tyre, derisa i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të fillojnë procedurat për draftimin e aktit normativ për kompensimin e familjeve të mjekëve dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë.
Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu ka thënë për Express, se kanë kërkuar që të kompensohen vetëm fëmijët që janë nën moshën 18 vjeçare, dhe jo edhe ata që janë mbi këtë moshë, përkundër që kanë humbur familjarët e tyre.
Ai ka thëne se kanë kërkuar që këtyre fëmijëve tu ndahen 1 mijë e 500 euro në muaj, derisa ata t’i mbushen 18 vjet.
“Ideja është që fëmijëve të mjekëve që kanë humbur jetën gjatë pandemisë, të cilët janë nën 18 vjeç t’i vazhdohet paga deri në moshën 18 vjeçare. Pra të paguhen vetëm familjet e atyre punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë fëmijët nën 18 vjeç. Kështu i bie që nga 18 mjek që kanë vdekur, të kompensohen vetëm 3, pasi që vetëm ata kanë fëmijë minoren. Ndërsa, kërkesa jonë është që të kompensohen edhe fëmijët e të gjithë punëtorëve tjerë shëndetësorë, që janë nën 18 vjeç, me nga 1 mijë e 500 euro në muaj”, ka thënë ai,
Sejdiu ka thënë se kanë kërkuar që të kompensohen fëmijët nën 18 vjeç, për shkak që ata kanë qenë të varur nga prindërit e tyre, ndërsa nuk kanë bërë kërkesë për ata që janë mbi këtë moshë.
“Personat mbi 18 vjeç nuk kanë qenë të varur nga familjarët e tyre. Kjo është një ndihmë simbolike që ju ofrohet familjarëve, gjë që nuk e ngarkon shtetin”, ka shtuar ai.
Ai ka treguar se si Odë kanë ndihmuar familjarët e punëtorëve shëndetësorë me nga 1 mijë euro.
Përndryshe, përkundër që kanë marrë premtime për kompensim, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Express, se ende nuk kanë marrë asnjë propozim nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështe. Ata kanë thënë se kjo e fundit duhet tu vie me propozim në Qeveri.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë dhënë informacione për kompensimin.