
Oda e Mjekëve kërkon që gradimi në kuadër të Ligjit për paga të bëhet në tri kategori
Të mërkurën në zyrat e Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) është mbajtur takimi i përbashkët i kryetarëve të Odës së Mjekëve dhe Shoqatës së Mjekëve Familjarë të Kosovës.
Në këtë takim u diskutuan shumë çështje në interes të komunitetit të mjekëve, dhe në veçanti u diskutua rreth diskriminimit në gradimin e mjekëve specialist të mjekësisë familjare.
‘Në këtë takim u mor qëndrim që i vetmi opsion i pranuar i gradimit në kuadër të Ligjit për paga të jetë propozimi i përbashkët i MSH-së dhe OMK-ut ku mjekët janë ndarë në tri kategori, mjek i përgjithshëm, mjek specializant dhe mjek specialist. Prandaj, çdo ndarje e specialistëve të mjekësisë familjare nga specialistët tjerë do të shkaktojë çrregullim me përmasa destabilizuese në sistemin tonë shëndetësorë, me ç’rast ‘filtri’ i sistemit të referimit do të zhdukej”, është theksuar në komunikatën e OMK-ut.
/Epoka e re/