Oda e Mjekëve: Për 28 ditë u larguan nga Kosova 42 punëtorë shëndetësorë
Ikja e mjekëve për në vendet evropiane është problemi kryesor me të cilin po ballafaqohet shëndetësia në Kosovë dhe motivimi i tyre nuk është vetëm çështja financiare, por janë edhe kushtet e punës dhe mundësitë për shkollim.
Në këtë të fundit, shteti duhet angazhohet që stafi mjekësorë të shkojë në shkollim jashtë vendit me kontratë që edhe të kthehen.
Kështu është thënë në tryezën me temën: “Gjendja aktuale në sektorin e shëndetësisë– Kemi apo nuk kemi sistem shëndetësor funksional? – Kahja e reformës së nevojshme”, të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Si problematikë kryesore në këtë tryezë është përmendur edhe ikja e punëtorëve shëndetësorë, ku për 28 ditë janë larguar 42 perona.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka thënë se si ministri kanë për qëllim që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti.
Ndërsa kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se kjo tryezë ka për qëllim gjetjen e problemeve që po ndodhin në shëndetësi.
Ai ka thënë se njëri ndër problemet kryesore në shëndetësi është ikja e mjekëve në vendet e Evropës, pasi sipas tij nuk kanë motivimin e duhur.
“Për 28 ditë 42 persona kanë shkuar është shumë e vërtetë ajo se çfarë ka thënë ministri se nuk mundemi t’i ndalim, por t’i ndalim sa të mundemi, dhe më besoni se në klinikën time ku janë prej 12 në ortopedi katër nga më të mirët kanë shkuar”, ka thënë Sejdiu.