Oda e Mjekëve të Kosovës reagon për sulmin ndaj mjekut në Vushtrri
Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar ndaj sulmit të një mjeku në Vushtrri.
Sipas reagimit të kësaj ode, sulmet dhe dhuna fizike dhe psiqike ndaj mjekëve ka marrë dimension tjetër.
“Veprimet e dhunshme ndaj stafit mjekësor dhe profesionistëve shëndetësorë janë kthyer në dhunë sistematike e seriale. Sulmi i fundit në Vushtrri ndaj mjekut në vendin e punës, është rezultat tjetër dhe e vjelur e radhës e dështimit institucional dhe shoqëror. Dhuna e shprehur përmes sulmeve të drejtpërdrejta janë pasojë e shtytjes së organizuar nga qarqet dhe individë nga sfera politike, mediale, dhe të shoqërisë civile, qoftë kjo me dashje apo pa dashje”, është thënë në reagimin e Oda e Mjekëve të Kosovës me kryetar Pleurat Sejdiu.
Oda e Mjekëve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete për të luftuar këtë kriminalitet të kualifikuar.
“Është koha e fundit që shteti i Kosovës të përgatisë strategji konkrete për të luftuar këtë lloj të kriminalitetit”, është theksuar në reagimin e Oda e Mjekëve të Kosovës.
/Epoka e re/