Oda e Veterinerëve: Ekziston rreziku i përhapjes së ndonjë sëmundjeje pas vërshimev
Fabrika për asgjësimin dhe riciklimin e kafshëve të ngordhura në Kosovë nuk funksionon dhe rreziku për përhapjen e ndonjë sëmundjeje të mundshme është potencial, thonë nga Oda e Veterinerëve të Kosovës.
Mijëra shpezë dhe kafshë raportohet të kenë ngordhur ditëve të fundit, si pasojë e përmbytjeve që kanë përfshirë disa zona të Kosovës.
Vetëm në një fermë në Komunën e Skenderajt, nga 19 janari, kanë ngordhur mbi 12.000 pula.
Pronari i saj, Liridon Geci, thotë për Radion Evropa e Lirë se ato do të groposen më 25 janar.
Sipas tij, groposja më herët e tyre ka qenë e pamundur, për shkak të nivelit të lartë të ujit dhe baltës brenda në fermë.
Geci thotë se nxjerra e tyre nga ferma dhe më pas groposja do të bëhen në bashkëpunim me zyrtarët komunalë, të cilët kanë caktuar një “lokacion të përshtatshëm” për groposje.
Valon Haliti, udhëheqës i Drejtorisë së Inspektoratit Komunal në Skenderaj, konfirmon për REL-in se komuna ka vendosur që groposja e këtyre pulave të bëhet në fshatin Kotor.
Kotori gjendet në magjistralen Pejë-Mitrovicë, rreth tetë kilometra në veriperëndim të Skenderajt.
“Ky fshat është kodrino-malor dhe nuk ka afër vendbanime dhe puse të ujit”, shpjegon Haliti.
Përveç Skenderajt, zona të tjera të goditura rëndë nga vërshimet, kanë qenë Mitrovica e Veriut, Istogu dhe Klina.
Me gjithë interesimin e REL-it për numrin e shpezëve dhe kafshëve të ngordhura në këto komuna, zyrtarët e tyre nuk u përgjigjën.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës njoftoi se gjatë vërshimeve të 19-20 janarit kishte dëme të mëdha – mes të cilave edhe shpezë e kafshë të ngordhura – por nuk dha ndonjë shifër të saktë.
REL pyeti Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për humbjet në shpezë dhe kafshë, por nuk mori përgjigje.
N ë deklaratën e kësaj ministrie thuhet vetëm se komunat vendosin për lokacionin e groposjes së këtyre mbetjeve.
“Përderisa fabrika për asgjësimin dhe riciklimin e kafshëve të ngordhura dhe mbetjeve shtazore nuk është në funksion, komunat respektive i caktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve [të ngordhura]”, thuhet në deklaratë.
Aty, po ashtu, theksohet rëndësia e asgjësimit të shpezëve dhe kafshëve të ngordhura nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë, në mënyrë që, siç thuhet, të garantohet një asgjësim i sigurt, për mbrojtje të shëndetit veterinar dhe atij publik.