![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/oda-ekonomike-vs-atk.jpg)
Oda Ekonomike Amerikane dhe ATK-ja diskutojnë për planet dhe iniciativat e administratës tatimore
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka zhvilluar një diskutim të rëndësishëm me ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, për planet dhe iniciativat e administratës tatimore.
Diskutimi përfshiu ndryshimet ligjore që ndikojnë në procedurat tatimore, sfidat e rimbursimeve tatimore dhe vonesat që lidhen me interpretimin e ligjit.
Murtezaj ka theksuar rëndësinë e dallimit midis tatimpaguesve që nuk respektojnë ligjin dhe atyre që kanë vështirësi në interpretimin e tij.
Ai gjithashtu ka theksuar suksesin e ATK-së në arritjen e një shkalle të lartë të përmbushjes tatimore dhe angazhimin e administratës për të përmirësuar sistemin tatimor, rritur transparencën dhe besueshmërinë.
Temat e tjera të diskutimit përfshinë nevojën për seminare dhe trajnime për bizneset mbi procedurat e ankesave dhe rishikimin e inspektimeve tatimore për një qasje më të drejtë dhe transparente, rëndësi iu dha edhe shqyrtimit të ankesave nga Bordi për Ankesa pranë Ministrisë së Financave, ku u udhëzuan bizneset që, duke marrë parasysh mungesës së kapacitetit të punës, e cila pamundëson zgjidhjen e të gjitha ankesave brenda afatit kohor, për të njëjtat çështje të iniciohet padia në Gjykatë. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore ishte gjithashtu një çështje kyçe në përpjekjet për të rritur efikasitetin dhe ulur keqinterpretimet.
“Si AmCham, ne mbetemi të angazhuar për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset në Kosovë. Puna jonë vazhdon të fokusohet në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat, duke përmirësuar procedurat dhe duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe besueshmërisë në administratën tatimore”, ka njoftuar Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.