Oda Ekonomike Amerikane kërkon intensifikimin e dialogut publiko-privat
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur besimin e saj fuqishëm se në situatën në të cilët po kalon vendi është e nevojshme ruajtja dhe intensifikimi i dialogut publiko-privat.
Në këtë aspekt, OEAK-u ka kërkuar nga qeveria në detyrë të fuqizojë mekanizmat formalë të dialogimit, përfshirë këtu edhe Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik.
“Njëra ndër përgjegjësitë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik përfshin edhe fuqizimin e rolit të komunitetit të biznesit në procesin e zhvillimit ekonomik të vendit, prandaj duke pasur parasysh situatën e paprecedentë nëpër të cilën po kalojmë, është me rëndësi që ky Këshill të mund të japë kontributin e tij, me qëllim të zbutjes së ndikimit negativ dhe minimizimit të pasojave në sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi”.
“Oda Amerikane thekson se institucionet e shtetit të cilat marrin në konsideratë kufizimet dhe rekomandimet e sektorit privat kanë mundësi më të madhe për përcaktim të mirëfilltë të prioriteteve dhe hartim dhe zbatim të procesit të reformave në përputhje me nevojat e sektorit privat”, ka njoftuar OEAK-u.
Sipas këtij njoftimi, zbatimi i pakos së masave emergjente, por edhe hartimi i programit të rikuperimit pas pandemisë COVID-19, duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me bizneset, organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, instituteve ekonomike, akademinë, si dhe me ekspertët individualë të ekonomisë.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit zotimin e saj për kontribut aktiv në dialogun publiko privat, por edhe mbështetje të institucioneve legjislative dhe ekzekutive në procesin e hartimit të politikave”, ka njoftuar Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).