Oda Ekonomike Amerikane: Legalizimi i ndërtimeve pritet të sjellë përfitime për qytetarët e Kosovës
Legalizimi i ndërtimeve pa leje pritet të sjellë përfitime për qytetarët e Kosovës dhe se është i madh potenciali i humbur ekonomik nga pamundësia e shfrytëzimit të pronave të legalizuara.
Kështu u tha në Forumin Virtual për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka theksoi se procesi i legalizimit sjellë përfitime shumëdimensionale për qytetarët dhe sektorin privat, duke nisur nga shfrytëzimi i papenguar i të drejtave pronësore, por edhe vënia e këtyre pronave në funksion të zhvillimit ekonomik.
Zeka tha se është i madh potenciali i humbur ekonomik nga pamundësia e shfrytëzimit të ndërtimeve pa leje si hipotekë për qasje në financa por edhe për aktivitete afariste e investive.
Drejtori i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Servet Spahiu tha se në përgjithësi ekziston një rritje e interesimit të qytetarëve për legalizim.
Ai u shpreh se në Komunën e Prishtinës dhe Graçanicës janë finalizuar rreth 500 regjistrime në kadastër të ndërtimeve të legalizuara, të cilat bashkërisht arrijnë një vlerë të tregut deri në 96 milion euro.
Tutje, Spahiu foli mbi aplikacionin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e lëndëve në proces të legalizimit, me ç’rast tha se i njëjti është një vegël shumë e rëndësishme që ua bën të mundshme komunave administrimin dhe përcjelljen më të lehtë të të gjithë hapave të trajtimit të një lënde.
Ai e potencoi bashkëpunimin e ngushtë me Agjencinë Kadastrale në këtë proces, si dhe i ftoi të gjitha komunat që ta zbatojnë programin e legalizimit përmes njoftimit të qytetarëve të tyre mbi procedurat, bashkëpunimin ndërsektorial brenda komunës, zbatimin e udhëzimeve të nxjerra nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për regjistrimin në kadastër të ndërtimeve të legalizuara, dhe përdorimin e rregullt dhe të plotë të aplikacionit për regjistrimin e lëndëve në proces të legalizimit.
Ardian Olluri, udhëheqës i Task Forcës së Legalizimit dhe drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, duke folur mbi procesin e legalizimit në këtë komunë, si dhe mësimet e deritanishme nga i njëjti, tha se Komuna e Prishtinës ka krijuar një sektor të veçantë për legalizim, i cili përmes kapaciteteve të zgjeruara profesionale trajton kërkesat për legalizim të ndërtimeve.
Olluri shtoi se komuna në vazhdimësi u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë mundësinë për legalizim, derisa gjithashtu njoftoi se ky institucion ka një zyrë shërbyese e cila këshillon qytetarët përgjatë procesit të aplikimit. Sipas tij, aplikacioni për regjistrimin e lëndëve të legalizimit e ka ndihmuar shumë Komunën e Prishtinës për menaxhimin e lëndëve të legalizimit.
Avni Ahmeti, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, foli për rëndësinë e regjistrimit të ndërtimeve në Kadastër dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces, nga qartësia pronësore, mbrojtja juridike, bartja e sigurt e së drejtës pronësore përmes shitblerjes dhe trashëgimisë dhe së fundi mundësia për hipotekim.
Ahmeti tha se agjencia që ai drejton ka qenë promotere e legalizimit që nga fillimi, duke konsideruar këtë proces si një nga shtyllat kryesore për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, agjencia e ka avancuar sistemin e brendshëm dhe certifikatat pronësore të cilat tash, qytetarëve u lëshohen më të detajuara, ka thjeshtësuar procedurat e regjistrimit të hipotekës dhe ka hartuar një numër të udhëzimeve të cilat u ndihmojnë zyrave komunale kadastrale për të regjistruar sa më lehtë dhe sa më shumë ndërtime.
Ai ftoi të gjitha zyrat kadastrale, në të gjitha komunat, që të bashkëpunojnë ngushtë me drejtoritë e urbanizmit sepse ky bashkëpunim jo që është vetëm i dëshirueshëm por është parakusht për suksesin e procesit të legalizimit.