Oda Ekonomike Amerikane përshëndet nismën për themelimin e Gjykatës Komerciale
Duke pasur parasysh rëndësinë që fuqizimi i sundimit të ligjit dhe i drejtësisë komerciale në veçanti kanë për investimet e jashtme dhe të brendshme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për shtyrjen përpara të iniciativës së rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.
“Në ndërlidhje me këtë, Oda Ekonomike Amerikane i sheh si inkurajuese deklaratat e Ministrisë së Drejtësisë për finalizimin e legjislacionit për themelimin e Gjykatës Komerciale deri në vjeshtë të vitit 2020, për shkak të efikasitetit momentalisht të ulët dhe vonesave në trajtimin e rasteve të natyrës komerciale, me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë. Oda Ekonomike Amerikane konsideron se ofrimi i një mekanizmi të shpejtë dhe profesional për zgjidhjen e kontesteve të bizneseve do të përmirësonte zbatueshmërinë e kontratave dhe do të rriste sigurinë e të bërit biznes, duke përmirësuar rrjedhimisht edhe imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane, duke u shtuar se Oda mirëpret edhe planet për krijimin e një divizioni të veçantë për trajtimin e kontesteve të investitorëve të huaj, gjë që sipas OEAK, pashmangshëm do të ndikonte në rritjen e investimeve të huaja dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të Kosovës.