Oda Ekonomike Amerikane reagon pas sulmeve të pushtetit ndaj Kushtetueses: Janë të papranueshme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar në lidhje me sulmet verbale të liderëve qeveritarë ndaj institucioneve të pavarura gjyqësore, si Gjykatës Kushtetuese.
Në një komunikatë për medie është thënë se deklaratat që cenojnë këto institucione janë të prapranueshme.
“Prandaj, institucionet e pavarura duhet të veprojnë pa ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit demokratik. Deklaratat që cenojnë këto institucione janë të papranueshme, meqë shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe gërryejnë vlerat demokratike, për ndërtimin e të cilave, Kosova ka punuar shumë. Është detyrë e të gjitha palëve të interesit dhe zyrtarëve politikë të respektojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore të shtetit. Kjo përfshin jo vetëm kryerjen e funksioneve dhe përmbushjen e përgjegjësive të tyre, por edhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të tjera. Formulimi i politikave, ndërtimi i konsensusit, hartimi i legjislacionit dhe rishikimi i akteve ligjore duhet të bëhen brenda kufijve të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit”, është thënë në reagim e OEAK-ut.
Më tutje, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga udhëheqësit e shtetit që t’i respektojnë vendimet gjyqësore.
“Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u kërkon udhëheqësve të shtetit që të respektojnë vendimet gjyqësore dhe të përmbahen nga deklaratat që ndërhyjnë në punën e gjyqësorit. Institucionet e Kosovës kanë obligim të vazhdueshëm që të respektojnë sundimin e ligjit në të gjitha rrethanat, duke shmangur në këtë mënyrë ushtrimin arbitrar të pushtetit”, është në reagimin e OEAK-ut.