Odat Amerikane të rajonit dakordohen për fuqizim të bashkëpunimit dhe promovim të mundësive për zhvillim
Oda Amerikane në Shqipëri, Oda Amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë, Oda Amerikane në Kosovë, Oda Amerikane në Maqedoninë e Veriut dhe Oda Amerikane në Serbi janë dakorduar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të mundësive për zhvillim.
Odat Amerikane u dakorduan të vazhdojnë punën e përbashkët për avokim për klimë më të mirë afariste dhe të investimeve, si dhe për inkurajimin e largimit të barrierave tregtare dhe fuqizimin e lëvizjes së lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Po ashtu, në njoftim thuhet se Odat Amerikane u zotuan të punojnë bashkërisht për të eksploruar mundësitë e pashfrytëzuara duke fuqizuar lidhjet e Odave Amerikane në rajon.
Duke u përballur me sfida të shumta përfshirë sigurinë energjetike, mungesën e kapitalit njerëzor, çrregullimet në zinxhirët e furnizimeve, barrierat tregtare, sigurinë kibernetike dhe çështjet klimatike, Odat Amerikane u bëjnë thirrje udhëheqësve të rajonit që të përshpejtojnë reformat dhe bashkëpunimit, duke bashkërenduar ekonomitë me rregullat e BE-së, agjendën digjitale dhe të gjelbër, si dhe avancimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.