Odat ekonomike kërkojnë nga institucionet të mos pengohet puna e bizneseve private

16 mars 2020 | 12:54

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me siç kanë thënë “pengimin e punës së veprimtarive ekonomike anembanë vendit në kundërshtim me vendimin e djeshëm të Inspektoratit të Tregut i cili në mënyrë të qartë cek veprimtaritë ekonomike të cilat mund të vazhdojnë punën edhe pas marrjes së masave parandaluese kundër pandemisë COVID-19”.

“Veprimet e tilla arbitrare ndikojnë në rritjen e konfuzionit të shkaktuar ditëve të fundit, por edhe në rritjen e pakontrolluar të panikut nga ana e qytetarëve”, është thënë në reagimin e dy odave ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka janë takuar me kryeinspektorin e Tregut, Lulzim Syla për të përcjellë këto shqetësime të bizneseve dhe rëndësinë e mosndërprerjes së veprimtarisë ekonomike, për shkak të pasojave të cilat kjo mund të ketë në ekonominë e vendit.

Kryeinspektori Syla ka konfirmuar se vendimi i djeshëm i shpërndarë përmes një qarkoreje të Inspektoratit të Tregut mbetet ende i vlefshëm.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë ftuar autoritetet komunale, Policinë e Kosovës, si dhe të gjitha trupat inspektuese që të respektojnë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Inspektoratit të Tregut dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë arbitrare duke penguar punën e ndërmarrjeve private, të cilat janë jetike në ruajtjen e furnizimit normal për qytetarët.

Po ashtu, ato kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të aprovojë vendimin për planin e masave që do të lehtësonin operimin e bizneseve në këto ditë të situatës emergjente, sipas propozimit të bërë gjatë ditës së djeshme.

Në anën tjetër, këto dy oda ekonomike kanë ftuar ndërmarrjet tregtare që të veprojnë gjithashtu me përgjegjshmëri duke mos abuzuar me ngritjen e çmimeve në këto ditë të vështira.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë…