Ode për tempujt që nuk u harruan
Poemë në kujtim të çamëve të masakruar nga ushtria greke në qershor-shtator të vitit 1944 në qytezat e fshatrat e vjetra të Çamërisë
“Ka shumë pellgje gjaku nëpër botë / ku vallë do rrjedhin ato?…” Jacques Prevert
Poemë nga Luan Rama
Çdo natë nga rrënojat hijet ngrihen
duke shkundur pluhurin e tragjedisë,
hijet që s’kanë vdekur,
dhe që heshtin gjithashtu,
janë të vrarët, të masakruarit, të handakosurit
diej të shuar që shndrisin ende në çastin që perëndon
njerëz të popullit
faji i të cilëve ishte se flisnin një gjuhë tjetër,
se kishin një fe tjetër,
se ishin çamë dhe jo grekë?
fqinjë të vjetër të heronjve të Iliadës dhe Odiseut.
Janë të varurit që era e një vjeshte i përkund çdo natë
ishte vjeshtë e artë dhe ata tundeshin
në trungjet e lisave, rrapeve dhe manave
që fruta s’bënë më,
përkundur në Smartë, Karbunarë, Paramithi e Spathar
muret e heshtur prej kohësh
janë kërrusur nga plagët e mëdha,
nga vdekjet dhe vajet.
Dhe hijet mblidhen këtu çdo natë
kapërcejnë shkurret dhe muranat
dhe vijnë pa u ndjerë, me hapa të lehtë,
zbathur e kush mbathur veç me një këpucë
nga nxitimi për t’i shpëtuar kosës, por ah,
tani mblidhen të flasin për mallin e të kujtojnë së bashku
të jetojnë jetën tjetër,
atë të të gjallëve që ishin dikur,
kohën e portokajve dhe të ullinjve që duheshin vjelë
të flasin për vreshtat e limonat,
ngrejnë sytë lart dhe lusin të bjerë shi,
janë hije ustallarësh, bukëpjekësish, maraNgozësh,
bahçevanë e bardë të këngës që ua mbyllën gojën
me dheun e tokës së etërve
e ata prapë këndojnë në errësirën e natës,
dervishë e varrmihës të gjorë
që i vunë të mbulonin të masakruarit
duke i vrarë nga pas dhe ata,
njerëz të paqtë, hije me zemra të vrara
edhe pse shpirti i tyre i shuar ende pulson
me ritmin e tokës që endet në univers.
– Na mori malli, na dogji!
Kaq vite pa dëgjuar zërin e fëmilës sonë!
– Kohë e keqe, e marrosur, jetë martiri!
Mbetëm kështu në zinë e qiellit
pa e shijuar lirinë dhe pa i gëzuar dasmat,
me bukën e lënë pa pjekur në magje
dhe tokat e lëna djerrë!
Secili nga ta do të thotë diçka
për shpirtin e vrarë nga urrejtja e popullit tjetër,
për urrejtjen e një gjuhe tjetër,
e një feje tjetër
që e nguli shtizën e flamurit të tij
mbi kufomat e një morie të vrarësh.
– Zërat e foshnjave tona s’do të dëgjoheshin më,
kurrë, kurrë më!
– Atë ditë të gjëmës dëgjonim këmbët e njerëzve tanë
të kapnin me nxitim kufirin me djepet në krahë,
të arrinin Qafën e Botës,
në tokat përtej të shpëtimit.
– Pastaj heshti gjithçka! – thotë Nazo,
veç kukuvajkat dëgjonim,
qanin dhe ato me ne, nën qiellin e murrmë
ku mandilet era i hallakaste tutje
si lajmëtare të kobit dhe të zisë sonë
se stuhia s’u ndal mbi shtëpitë e djegura
që mbetën tempuj të harruar,
gurët tanë të shenjtë, bekuar nga etërit tanë.
– Fëmilët na kërkonin odat e tyre,
nuset e reja burrat, pa arritur t’i pleqërojnë,
saçet e bukës mbetën hedhur përdhe
dergjur në heshtjen e gjatë ku veç deti gjëmonte.
– Oh, nëna dhe motra,
ç’ishte kjo hata në vjeshtën e artë
na mbetën fëmilët jetimë nën dhé
si zogj krahëthyer me sy të shuar
pa ditur se s’do të zgjoheshin më,
oh, ç’kujë e madhe!
– Mbetëm të verbuar midis dritës e vdekjes
midis flladit që vjen nga deti
me vaje dhe klithma zgalemësh.
Ato netë masakre dhe yjet u zhdukën,
hëna heshti dhe deti tërhiqej gjithnjë e më larg
të nesërmen dielli nuk deshi të dalë,
oh, ç’frikë e barbari kur gjaku shkonte lumë!
– Ç’faj kishim bërë që na vratë? – thotë Myrto, –
prisja të martoja vajzën në Spathar,
njëqind e pesëdhjetë zemra heshtën e nuk rrahën më.
– Isha në krua, – thotë hija e një gruaje,
mbushnim ujë dhe evlatët loznin tej
erdhën papritur ulkonja e skifterë,
erdhën si stuhi dhe na prenë,
oh, ç’kosë e tmerrshme,
oh, ç’vdekje e llahtari!
Klamë, klamë dhe zëri na u ngjir,
belbëzimet dhe cicërimat e kësaj bote u shuan.
Drita e ditëve shkoi bashkë me mortjen e zezë
dhe sahatet e botës nuk u dëgjuan më.
– Plagët më në fund nuk kulluan më
u përthanë nga zhegu dhe dielli që digjej,
çezmat e gurta nuk rrodhën më
lumenjtë shterën dhe lanë pas shkumë lotësh,
veç burimet vazhdonin të shkonin thellë
poshtë trupave tanë,
gurgullonin si lumenj të zinj, ofshanin nën zë…
– Më së fundi plagët na u mpiksën
dhe zemrat dolën nga krahërorët,
u shkulën nga gjokset tanë,
lulet e oborreve u thanë
nën zinë e madhe të hatasë.
– Shikoma plagën nën sisë! – thotë një nuse e re, –
vëre dorën në këtë zgavër të madhe plumbi
që shkon tej e tej,
qumështi mu tha,
e kuptova që s’do të lindja më,
që s’do këndoja më ninulla të ëmbla
ngjyrë mjalti.
– Mua më mbeti skalpi i fëmilës në dorë,
ma vranë që i zëntë vdekja,
që i zëntë buka,
sikur mos të kishin nëna dhe motra.
– Ndërsa mua më mbeti fëmila në bark
priste dhe një muaj të shihte diellin
por veç errësirën pa aty në vetmi,
na hodhën të gjithëve në gropë
e unë dëgjoja ende klithmat e tij,
klante i gjori, klante,
më kërkonte sisën e unë nuk shkoja dot
ishte terr dhe sytë nuk ia shihja,
zemra më kish ndalur
këmbë e duar më qenë prerë!…
– Ne na mbyllën në «ikofrotia”,
pesëdhjetë ditë të kyçura,
shtatëdhjetë gra e fëmilë vdiqën nga uria
me gojë të shqyera.
– Oh, e pashë me këto sy që dhimbja mi qërroi,
një grua të Pronjave e gozhduan me gozhda
pa ditur se gozhdonin Zotin e tyre.
– Nuk i harrojmë vdekjet tona,
i kemi të ngjizura në sy edhe pse sy meiti,
Sanie Bollatin e dogjën me benzinë,
Oh, ç’flakë në atë botë që digjej
ku njëmijë ëndrra nxinin dhe endeshin
të çmendura në qiell!
– Në Koskë, dhjetë vajza i përdhunuan
dhe pastaj i vranë që të mos tregonin lemerinë
të vdekura klithnin dhe kërkonin etërit e tyre
e sheshet ngashërenin.
– Kufomat e 56 filaqotëve i hodhën nga ura Naçit,
binin poshtë njeri mbi tjetrin,
mbi lumin që përgjakej e shkonte në botën tjetër,
në Akeronin e zi,
shtatëmbëdhjetë evlatë u vranë në prroin e Kariotit,
njëmbëdhjetë të tjerë në Shën Panaja…
– Që atë ditë korriku dasmat nuk u dëgjuan,
mandolinat dhe këngët u shuan,
vajet e vjetra gjithashtu
u shua bota në Çamëri
dhe dielli na u nxi,
ata që nxitonin tutje në Qafën e Botës mbanin sytë pas
ku veç një diell digjej, i vrarë mavi.
– Gjithçka u shua atë ditë,
portat mbetën të shqyera,
shtretët e odave thyheshin me zhurmë
e dritaret si gojë të shqyera klithnin ende,
u ftohën magjet tek prisnin duart tona,
borzilokët dhe manxurana shpejt u thanë
dhe lulet e mullagës së kuqe të zeza u bënë,
donin të vdisnin dhe ato, bashkë me ne.
– Në odat e mëdha ra zija e madhe,
yjet u këputën dhe nga qielli ranë
bota jonë e paqtë vajtonte,
hijet tona tani ngrenë kryet në qiell
të presin yjet e shpresës mbi duart e tyre.
– Po zbresin yjet! – thotë Elmazi, –
t’i presim e t’i mbajmë si prushet,
s’kemi ç’mbajmë tjetër, veç yje,
si lotët e nxehtë që na u thanë.
– Ja shtëpia e Irfanit, – thotë Hodo, –
duhet hedhur çatia përsëri,
presim të kthehen ustallarët,
nipërit dhe njerëzit tanë,
ta fillojmë jetën aty ku u ndal,
të jetojmë sërish nën të njëjtin diell me evlatët tanë.
të jetojmë në të njëjtën botë.
– Ne dimë të falim,
ja ku i keni krahët tanë, të hapur!
– E shikon shtëpinë e Shefqetit, –
gjithë jetën i gjori ndreqi këpucët e botës
që bota të ecë, të shkojë!
– Cila është? – pyet një hije pranë tij.
– Ajo ballë portës së gurtë të Shabanit,
veç ajo portë i ka mbetur në këmbë,
ai hark guri pesë shekullor
dhe pse hija sheh veç një grumbull gurësh.
– Gurët e qemeret qëndrojnë ende
që vdekja nuk mundi t’i rrënojë.
– Atje u bë dasma e Nusretit,
të kujtohen kur erdhën fqinjët tanë?
Mes tyre edhe Kosta me Anastasion,
eh, ç’dasëm, erdhën dhe kënduan,
pastaj hodhën vallen tonë “çamiko” !
– Ejani burra, ejani gra,
dhe ju fëmijët tanë që nuk ju treti dheu,
ejani t’i presim të ikurit tanë në kodrinën lart
ku kalldrëmi zbret,
që më së fundi ta shkelin këtë tokë djerrë dhe pinjollët tanë,
malli ynë do të bëhet shteg
tu tregojë udhën drejt portave
dhe shkallëve që të çonin në odatë,
atëherë xixëllonjat do na ndjekin
në mbrëmjen e njëmijë yjeve,
do na rrethojnë me dritëzat e tyre
edhe pse hije do të jemi sërish me ta,
shpirtra dhe frymë mes tyre
për të mos humbur kurrë.
Dhe atëherë zërat e tyre do dëgjojmë,
këngët, mandolinat, vallet,
do dëgjojmë fjalë të ëmbla dashurish,
pëshpërimat e nuseve mbetur shtatzëna,
do shohim çarçafët e bardhë nderur të nesërmen
dhe shegët e pjekura që më së fundi do hapen nga malli
do çahen nga padurimi dhe pritja e gjatë
për të treguar zemrat që u shndrisin flakë,
dhe atëherë në pranverën e re,
sepetet do mbushen sërish me pajat e nusërisë.
Dhe ashtu në ag, me shpresën në buzë,
hijet zbresin ngadalë në botën e tyre…
Foto: Luan Rama
Luan Rama ka lindur në Tiranë në janar të vitit 1952. Ka mbaruar studimet universitare në Tiranë në Fakultetin e Shkencave Politike, për gazetari si dhe në Universitetin Parisi VII – “Denis Diderot” në Paris për audiovizual, komunikim dhe kinematografi. Fillimin e karrierës së tij profesionale e pati në studiot kinematografike “Shqipëria e Re”, në vitin 1975, ku për 13 vjet rradhazi shkroi rreth 40 skenarë të filmave dokumentarë (“Eposi i kreshnikeve, “Mos harroni” (për Mathauzenin), “Pranvera dy hapa afër”), 4 skenarë të filmave me metrazh të gjatë (“Vajzat me kordele te Kuqe”, regjisor G. Erebara, “Prilli i hidhur”, regjisor M. Fejzo, “Dëshmorët e Monumenteve”, regj. F. Hoshafi, “Në Prag të jetës”, regj. G. Erebara) dhe 15 filma vizatimorë (“Dy Gostitë”, i vlerësuar me çmim ndërkombëtar). Njëkohësisht është angazhuar dhe si gazetar në Shqipëri apo dhe në Paris, ku në vitet 1995-1997 ishte redaktor në “Courrier International”. Më pas u angazhua në fushën e diplomacisë, ku gjatë viteve 1997-2001 ishte ambasadori i Shqipërisë në Francë, në Monako dhe në Portugali, si dhe përfaqësues i presidentit të Republikës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Në vitin 2002 është nderuar nga presidenti i Republikës franceze Jacques Chirac me dekoratën e lartë “Grand Officier de l’Ordre National de Merite”, (Oficer i Madh i Urdhërit Kombëtar te Meritës). Po kështu ka dhe dekoratën “Naim Frashëri” nga presidenti i Republikës, në vitin 1986 si dhe ka marrë në vitin 2014 “çmimin e Frankofonisë”. Ne vitet 2002-2006 ka qenë zgjedhur nga organizata e Frankofonisë në forumin e lartë të saj “Këshilli i Lartë i Frankofonisë”, ku shumica ishin ish-kryeministra, ish-ministra të Jashtëm dhe akademikëfrancezë. Gjatë kësaj periudhe ka drejtuar misione të vëzhgimit të zgjedhjeve në disa vende frankofone si në Madagaskar, Kongo Brazavil, Ishujt Maurice, Guiné Bisao (i dërguar nga OKB-ja), etj. Ka marrë pjesë në shumë kolokiume e konferenca ndërkombëtare rreth Ballkanit në Paris dhe vende te tjera. Që prej disa vjetësh jep mësim në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO) mbi Gjeopolitikën, për Historinë e Shqipërisë dhe “Mbi traditën dhe modernitetin” – Master).
Çmime:
“Personaliteti frankofon i vitit” 2015 nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Çmimi i letërsisë për Fëmijë, Panairi i Librit, Tiranë, 2016, për librin “Më quajnë Aleksandër Moisiu”
“Njeriu i Vitit” nga Fondacioni “HARPA”, 2017
Çmimi për Letërsinë, Revista “Pelegrini” 2017 për esenë “Muaji i fundit i Arthur Rimbaud”
“Aleksandri i Madh” në Salaminë të Greqisë nga Komiteti grek i Unesco-s dhe ”Café des Idées”, 2017
“Kurora e artë e poezisë”, në “Netë të poezisë korçare”, 2018
Çmimi i vitit i letërsisë për fëmijë (libri didaktik) nga Ministria e Kulturës, 2019
Vepra:
Ka botuar rreth 60 libra (pa përfshirë përkthimet e shumta nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas), ndër të cilat shumë ese, si: për François Mitterandt, Gjenerali De Gaulle, për figura të ndryshme të artit si Arthur Rimbaud etj., për themeluesin e simbolizmit francez Jean Moréas, me origjinë arvanitase; dozhët Durazzo; për piktorin Abedin Dino, piktorin Omer Kaleshi apo për artistin e shquar poetin, kineastin, piktorin dhe dramaturgun e njohur francez Jean Cocteau. Veç disa librave të tjerë si “Parisi letrar”, “Dorëshkrimet e Purpurta”, “Pont entre deux Rives” (Ura midis dy brigjeve), ai ka shkruar dhe katër romane: “Santa Quaranta” (për balerinën Isadora Dunkan gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri), “Camera obscura-Origjina e botës”, « Burri që donte të vdiste apo « Nata e gjatë e Alberto Savianit », etj. Eseja “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”, botuar në Francë, është vlerësuar me çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge, në vitin 2002. Gjithashtu ka botuar në Francë romanet La Concubine des montagnes, Une si longue absence, vëllimin poetik “Couvrez-moi avec un morceau de ciel” (Mbulomëni me një copëz qiell), “Territoret e shpirtit”, “Leon Rey, zbuluesi i Apollonisë”, “Pont entre deux Rives” (Ura mbi dy brigje), etj. Ka botuar katêr libra poetikë në Francë dhe Shqipëri « : Mbulomëni me njê copëz qiell », « Territoret e shpirtit », « Poezi dashurie nê kohë të vonë » dhe Porto Palermo ».
Është vlerësuar me çmimin europian të Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge në vitin 2002 për esenë në frëngjisht “Udha e gjatë nën tunelin e Platonit”. Ka shkruar gjithashtu skenarin e filmit “Omer, shtërgu nga Ballkani” me regji të E. Musliu dhe E. Ibro (2004), skenarin e filmit dokumentar “Marko Boçari-një mit për Europën”, e D. Muçit etj. Në vitet e fundit ka shkruar disa libra historikë si “Shqipëria në kohën e luftrave bizantino-normande”, “Kalorësit e Stuhisë”, dhe këto kohë librin “Bonjour d’Albanie” mbi ushtrinë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore apo “Shqipëria e konsullit francez Auguste Dozon”, i cili bëri të njohura pasurinë e përrallave dhe të kulturës e gjuhës shqiptare në Francë, në vitet 1880.
Vitet e fundit ka botuar gjithashtu “Tek Frankët”, mbi emigracionin shqiptar në Francë; “Shqipëria në luftën bizantino-normande”, “Në udhëkryqet e kohës, I, II, III”, IV -“Korrespondenca Paris-Tirana”, “Bonjour d’Albanie”, “Shqiptarët e Léon Gérôme” (Les Albanais de Léon Gérôme) libër dygjuhësh shqip-frëngjisht apo “Shqipëria dhe shqiptarët në piktorët francezë të shekullit XIX”; “Përballë tablosë”, ese; “Vjeshta e Alberto Savianit”, tregime; “Durazzot – dozhët e purpurt”, histori, ribotim i plotësuar; “Legjenda shqiptare” ; librat për fëmijë “Udhëtim në botën e pikturës ”, “Më quajnë Aleksandër Moisiu”, (dhe një seri librash të tjerë në këtë kolanë si: “Më quajnë Skënderbeu”; “Më quajnë Dora d’Istria”; “Më quajnë Ismail Qemali”; “Më quajnë Ibrahim Kodra”; “Më quajnë Mbretëresha Teuta”; “Më quajnë Tefta Tashko”, “Mbretëresha ilire Teuta” etj.). Po kështu dhe librin për verën: “Vera, ky nektar i hyjnive dhe i njeriut”.
Ka përkthyer nga frëngjishtja në shqip dhe nga shqipja në frëngjisht rreth 15 romane, vëllime poetike, libra ese, ndër të cilët: “Dozon – le consul qui aimait les contes albanaises, En Grèce avec les arvanites”, L’origine, etj.
Së fundi janë botuar dhe librat me tregime “Vjeshta e Aberto Savianit”, libri “Epistolari i Zaratës” i botuar gjithashtu në Francë, në Itali, Greqi e në në Australi (Zaratha’s Epistolary), “Mbresa parisiane” apo “Bohelë anglosaksonë në Paris”, etj.
Është botuar në disa antologji poetike apo te tregimit. Veprat e tij jane botuar ne shqip, frëngjisht, anglisht, italisht dhe greqisht.