OEAK: Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, i domosdoshëm

15 tetor 2018 | 11:58

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) ka reaguar në lidhje me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke vlerësuar se ndërtimi i këtij termocentrali është i domosdoshëm.

“Bizneset në Kosovë, e në veçanti sektori i prodhimit, kanë identifikuar energjinë elektrike si një pengesë të konsiderueshme në zhvillimin e tyre që nga periudha e pas luftës. Furnizimi jostabil me energji elektrike përgjatë viteve i ka shkaktuar dëme shumëmilionëshe industrisë vendore si dhe ka penguar fuqizimin e sektorit të prodhimit në vend. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh besimin që një pjesë e konsiderueshme e sfidave me të cilat bizneset janë përballur në fushën e energjisë do të gjente adresën e zgjidhjes përmes ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re”, është theksuar në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

Sipas kësaj ode, krahas zhvillimeve pozitive viteve të fundit në aspekt të rritjes së stabilitetit dhe parashikueshmërisë së furnizimit, Kosova vazhdon të përballet me nevojën imediate për krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.

“Ndërtimi i termocentralit të ri do t’i mundësonte Kosovës të zgjeronte kapacitetet gjeneruese dhe rrjedhimisht të ulte varësinë nga importi i energjisë elektrike. Termocentralet ekzistuese operojnë me teknologji shumë të vjetër, ndërsa një defekt më serioz i tyre do të përballte Kosovën me krizë energjetike, si dhe do të rriste varësinë ndaj importit, duke nxitur rrjedhimisht edhe rritjen e çmimit të energjisë”, është thënë në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

“Po ashtu, vlen të theksohet se linjiti paraqet burimin kryesor natyror për Republikën e Kosovës dhe si i tillë, i njëjti duhet të gjejë shfrytëzim në nxitjen e zhvillimit ekonomik në vend, marrë parasysh edhe teknologjinë e re në këtë fushë, që ka mundësuar që të ulet dukshëm ndikimi në mjedis i burimeve të tilla. Normalisht, ndërtimi i termocentralit nuk duhet të dekurajojë investimet në zhvillimin e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtërishme të energjisë.

Marrë parasysh këto, Oda Amerikane shpreson që të shoh në muajt në vijim përmbylljen e suksesshme të përpjekjeve shumëvjeçare të Qeverisë si dhe kompanisë së përzgjedhur, të cilat do të çonin në jetësimin e projektit të termocentralit të ri, si një domosdoshmëri për sektorin privat në vend”, është theksuar me tej në këtë komunikatë të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hafia Mira e lindur në Kanada, ndërsa me prejardhje nga…