OEAK: Arbitrazhi lehtëson zgjidhjen e kontesteve biznesore
Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka organizuar të martën një forum virtual rreth rëndësisë dhe përfitimeve nga arbitrazhi si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve, gjatë të cilit anëtarët e Odës Amerikane patën mundësi të diskutojnë mbi këtë proces me arbitrat Korab Sejdiu, Njomëza Zejnullahu, Fuad El Saddi dhe James Emert. Në veçanti, gjatë këtij forumi u diskutua zgjidhja e kontesteve ekonomike gjatë kohës së pandemisë.
Korab Sejdiu, partner themelues i firmës ligjore “Sejdiu&Qerkini”, dhe njëherit arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane, duke përmendur sfidat me të cilat po përballet sistemi ligjor gjatë periudhës së pandemisë, ka thënë se arbitrazhi si metodë alternative e zgjidhjes së kontesteve gjatë kësaj kohe ka marrë rëndësi jetike. Sejdiu ka deklaruar se bizneset s’duhet të dekurajohen nga mungesa e klauzolës së arbitrazhit, pasi mund të përdorin këtë proces për zgjidhje të kontesteve edhe nëse fillimisht kjo klauzolë nuk ka qenë e përfshirë në kontratën e tyre, nëse të dy palët janë të pajtimit për një gjë të tillë. Sipas tij, fushatat e ndërgjegjësimit ndaj arbitrazhit duhet të fuqizohen më tej, sepse pavarësisht efikasitetit të gjykatave në kushte normale, arbitrazhi është gjithmonë një proces i qasshëm dhe fleksibil.
Njomëza Zejnullahu, arbitre e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, njëkohësisht edhe këshilltare e lartë ligjore në programin e USAID për Drejtësi Komerciale, theksoi se ky program është vazhdimisht në mbështetje të akterëve përkatës për promovimin e procesit të arbitrazhit dhe themelimin e Gjykatës Komerciale. Zejnullahu potencoi se arbitrazhi si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve nuk bie ndesh me punën e gjykatave, por në fakt i mbështet dhe plotëson ato. Sipas saj, të pasurit e një gjykate e cila i trajton çështjet e natyrës komerciale dhe bashkë-ekziston me arbitrazhin do të jetë shumë e dobishme për bizneset kosovare. Zejnullahu tha se programi i USAID për Drejtësi Komerciale po punon afërsisht me institucionet e Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe akterë të tjerë drejt promovimit të arbitrazhit si metodë alternative për zgjidhje të kontesteve komerciale.
Jason Emmert, arbitër dhe drejtor menaxhues i kompanisë Emert Group në SHBA, theksoi se pandemia COVID-19 ka imponuar një transferim të proceseve ligjore edhe në shtetet e SHBA-së, të cilat deri më tani kanë funksionuar në mënyrë tradicionale fizike. Ai theksoi se gjykatat komerciale dhe arbitrazhi përfitojnë nga njëra tjetra pasi që arbitrazhi lehtëson barrën e gjykatave, ndërsa kjo periudhë e pandemisë vetëm sa do të fuqizojë mekanizmat e zgjidhjes së kontesteve. Emmert po ashtu potencoi se Kosova ka përfituar shumë nga njohja falë sportit, prandaj arbitrazhi i cili përfshin edhe ligjin sportiv është shumë i nevojshëm, marrë parasysh se disa shkelje të ligjeve sportive trajtohen më lehtë përmes këtij mekanizmi sesa përmes gjykatave.
Fouad El Saddi, arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane dhe partner menaxhues i zyrës ligjore Saddi në Beirut, tha se në çdo krizë apo sfidë ekziston një mundësi për zhvillim. Sipas tij për shkak se gjykatat janë të mbingarkuara dhe nuk mund t’i trajtojnë të gjitha çështjet, arbitrazhi po promovohet së bashku me metoda të tjera alternative për zgjidhjen e kontesteve në përgjithësi. Ai potencoi se pandemia Covid-19 ka krijuar një mundësi të mirë për zhvillimin e arbitrazhit si metodë më e përshtatshme për zgjidhjen e kontesteve, derisa ndau me pjesëmarrësit e forumit se në shtetin e Libanit arbitrazhi po promovohet përmes shembujve të rasteve të zgjidhura përmes kësaj metode.