OEAK-u dhe OEK-u mirëpresin përafrimin e qëndrimeve rreth Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë mirëpritur përafrimin e qëndrimeve politike për kalimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike si përgjigje në thirrjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të sektorit privat, raporton “Epoka e re”.
Këto oda kanë theksuar se plotësimi i projektligjit me rekomandime të mëtejme si dhe shtimi i vlerës monetare të përkrahjes financiare ndihmon në adresimin më proporcional të kërkesave të bizneseve dhe dëmeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19.
“Prandaj, OEAK dhe OEK u bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta mbështesin projektligjin në seancën e nesërme kur Projektligji pritet që të votohet në lexim të dytë. Në të njëjtën kohë, të dyja odat ekonomike kërkojnë që sa më shpejt të jetë e mundur të kryhen përgatitjet e platformave përkatëse si dhe të përpilohen kriteret për shpërndarjen e përkrahjes financiare dhe zbatimin e masave të tjera të parapara me projektligj, në mbështetje të qytetarëve dhe ndërmarrjeve”, thuhet në komunikatën e përbashkët të OEAK-ut dhe të OEK-ut.