Kërkohet mbështetje ndaj sektorit privat në aftësimin e të rinjve
Zvogëlimi i boshllëkut të shkathtësive në fuqinë punëtore përmes iniciativave të bizneseve në aftësimin e të rinjve mbetet një praktikë mjaft e nevojshme për zhvillim të mëtutjeshëm, gjithsesi nevojitet mbështetje në nxitjen e praktikave të tilla në tërë vendin. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua rreth iniciativave të ndërmarra nga sektori privat në zvogëlimin e hendekut të shkathtësive në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se ndër sfidat më të shpeshta që bizneset vendore hasin në operimet e tyre është boshllëku i shkathtësive tek fuqia punëtore.
Ai ka thënë se pavarësisht ndërmarrjes së iniciativave të ndryshme nga sektori privat, bizneset vazhdojnë ende të ballafaqohen me këtë çështje e cila po ndikon mjaft në operimet e tyre.
Drejtori ekzekutiv i Cacttus Education, Besim Ilazi, ka thënë se aftësimi i të rinjve nga ana e bizneseve edhe pse po rezulton në përfitime në aftësimin profesional të tyre, prapë kjo mbetet një barrë mjaft e madhe për sektorin privat.
Ilazi ka theksuar se edhe pse sektori privat ka marrë rolin e udhëheqësit në zvogëlimin e boshllëkut të shkathtësive, nuk po ka mbështetje në këtë aspekt, duke bërë thirrje që të ofrohen lehtësira për bizneset në këtë drejtim.
Udhëheqësi i Qendrës së Kompetencës dhe Iniciativave Strategjike në Raiffeisen Bank Kosova, Kreshnik Halili, ka pohuar se iniciativat e ndërmarra nga kjo kompani në përgatitjen e punëtorëve kanë rezultuar në punësim të një numri të madh të tyre në këtë ndërmarrje.
Ai ka thënë se përfshirja e të rinjve në projekte me ndikim të madh në fazat e hershme të aftësimit të tyre ndikon në ngritjen e tyre profesionale, duke shtuar se përgjegjësi e tyre si biznes mbetet dhënia e një baze praktike në profesionin e të rinjve si dhe ekspozimin e tyre ndaj teknologjive të reja në sektorin bankar.
Shefi i Operimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë në RIT Kosovo, Visar Jasiqi, ka thënë se përmes qendrës së trajnimeve dhe zhvillimit nga ky institucion kanë synuar vazhdimisht aftësimin dhe përgatitjen e individëve për tregun e punës përmes trajnimeve profesionale dhe praktikave të ndryshme, duke bërë kështu edhe transferimin e tyre në tregun e punës.
Ai ka theksuar se duhet një koordinim më i madh mes bizneseve dhe institucioneve arsimore në ofrimin e mundësive të përfundimit të praktikave të ndryshme të cilat pastaj direkt reflektohen në aftësimin profesional të të rinjve duke shmangur kështu edhe largimin e tyre nga vendi.
/Epoka e re/