![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/06/oak.jpg)
OEAK: Planifikimi hapësinor është vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës
Për të diskutuar për rëndësinë e planifikimit hapësinor në zhvillimin dhe rritjen ekonomike, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar diskutim me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka deklaruar se planifikimi hapësinor është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik, ku me këtë rast theksoi qëllimin e këtij diskutimi me ministrin Aliu.
“Rëndësinë e legalizimit të objekteve pa leje, po ashtu, për planet e Ministrisë për ngritje të vetëdijes publike për procesin e aplikimit, por edhe skenarët alternativë pas skadimit të periudhës për aplikim për legalizim, meqë edhe kjo temë është e lidhur ngushtë ne çështjen e zhvillimit ekonomik”, u shpreh Zeka.
Kurse, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se qëllim themelor e kanë arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik që respekton planifikimin hapësinor por edhe kërkesat për mbrojtje mjedisore.
Ai më tutje tha se problem për Ministrinë që ai drejton është çështja e shpronësimit, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
Në fund, Aliu vuri theks te veçantë edhe te çështja e legalizimit, duke theksuar nevojën e një fushate të vazhdueshme të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve, por edhe bizneseve, duke nënvizuar edhe kontributin që odat ekonomike mund të bëjnë në këtë aspekt.